Një reagim i fundit në rrjetet sociale nga Ministri për Politikë Sociale dhe Demografi, Fatmir Limani, ka ngritur dyshime të mëdha për një largim të mundshëm të tij nga Qeveria. Përmes një statusi dhe disa komenteve mjaft enigmatike, Limani duket se po paralajmëron një kthesë të re në rrugëtimin e tij politik.
Në postimin e tij të fundit , i cili mban nënshkrimin e tij me iniciale “F. B. L.”, ministri shkruan:
“MIK MAFIZI ! Koha e veprimit në kohën e duhur, për të përzgjedhur mesin e artë. Pas çdo ngjitje në maja pason rikthimi në zero, për t’u ringjitur sërish, e sërish.., pafund…”
Mesazhi i koduar me numra dhe sondazhe
Ajo që ka tërhequr akoma më shumë vëmendjen e opinionit publik është një ndërveprim në komente . Pas një mesazhi mbështetës nga Hakim Suma, i cili shkruan për “ringritje, vlerë dhe karakter”, ministri Limani është përgjigjur me një ekuacion ironik politik:
“8.2 + 1.9 = Lamtumirë moj Shkodër..”
Sipas njohësve të rrethanave politike dhe analizës së numrave, këto shifra u referohen përqindjeve të sondazheve të fundit për partitë politike shqiptare:
8.2% për Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).
1.9% për partitë e tjera (ku përfshihen ASH e Arben Taravarit dhe LSH e Ziadin Selës).
Përdorimi i shprehjes popullore “Lamtumirë moj Shkodër”, e shoqëruar me mbledhjen e këtyre përqindjeve, po interpretohet gjerësisht si një sinjal i prerë se Limani po përgatit terrenin për t’u larguar nga ekzekutivi aktual dhe të ndajë rrugët përfundimisht me VLEN, duke lënë të kuptohet se llogaritë politike ose legjitimiteti i numrave po çojnë drejt një fundi të këtij kapitulli.
Mbetet të shihet nëse ky reagim i Limanit do të pasohet me një dorëheqje zyrtare në ditët në vijim apo nëse bëhet fjalë për një presion të brendshëm politik brenda koalicionit.
