Një përplasje e fortë ligjore dhe institucionale po zhvillohet rreth projektit strategjik të Aeroportit të Vlorës, ku investimet dhe asetet me vlerë miliona euro po mbahen të bllokuara. Përmes një reagimi publik, biznesmeni dhe investitori i njohur Behgjet Pacolli ka denoncuar publikisht atë që ai e cilëson si një goditje të rëndë ndaj pronës private, investimeve të huaja dhe sigurisë juridike në Shqipëri.
Pacolli ka bërë të ditur se prej gati një muaji, ndërtesat, terminali dhe asetet ku janë investuar mbi 100 milionë euro, së bashku me kolateralet financiare me vlerë mbi 210 milionë euro, mbahen të bllokuara në mënyrë të papranueshme nga grupe të caktuara, të cilat sipas tij po mbështeten edhe nga Policia e Shtetit, pa pasur asnjë vendim gjyqësor të formës së prerë.
Situata rëndohet edhe më shumë nga ana ligjore, pasi sipas Pacollit, këto veprime po tentohen të mbulohen përmes vendimeve gjyqësore mjaft të dyshimta. Ai ka vënë në shënjestër drejtpërdrejt gjyqtaren e Shkallës së Parë të Tiranës, znj. Miranda Nakaj, duke deklaruar se vendimet e saj bien hapur ndesh me ligjin dhe me vendimmarrjen e mëparshme të Gjykatës së Lartë. Investitori sqaron se këto çështje nuk janë të reja dhe janë shqyrtuar më parë nga shkalla më e lartë e gjyqësorit, e cila i ka dhënë të drejtë të plotë kompanisë Mabco. Sot po veprohet sikur ligji nuk ekziston dhe sikur vendimet e Gjykatës së Lartë nuk kanë asnjë vlerë, duke lejuar që prona private të merret peng nga kushdo që ka forcë apo mbështetje institucionale.
Ky rast ngre pikëpyetje të mëdha mbi klimën e biznesit dhe garancitë që Shqipëria u ofron investitorëve të mëdhenj. Pacolli ka drejtuar një apel të fortë dhe plot pikëpyetje për gjendjen ku ka katandisur siguria juridike në vend, duke pyetur se çfarë vlere ka ligji kur nuk zbatohet dhe çfarë garancie ka një investitor kur qindra miliona euro mund të bllokohen pa një vendim përfundimtar gjyqësor.
Sipas tij, kjo situatë përbën një alarm të madh për drejtësinë, ekonominë dhe vetë modelin e Shqipërisë demokratike që pretendohet të ndërtohet. Në mbyllje të reagimit të tij, biznesmeni ka prerë çdo mundësi tërheqjeje, duke deklaruar vendosmërisht se beteja për Aeroportin e Vlorës do të vazhdojë dhe se nuk do të lejohet që ky projekt të mbahet peng nga paligjshmëria.
