VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se Ministrinë e Shëndetësisë duhet ta udhëheqë ajo, ndërsa ofron ose rotacionon Kulturën, Sportin, Bujqësinë VLEN do të pranonte ta lëshonte Shëndetësinë, por në këmbim kërkon Arsimin ose që Shëndetësia të mbetet tek ata, me rotacion mes ministrit Azir Aliu dhe zëvendëskryeministrit Bekim Sali.

Shëndetësia, Drejtësia, Arsimi, Politika Sociale, Bujqësia, Çështjet Evropiane, Kultura dhe Sporti janë resorët që ndodhen në tryezën e bisedimeve mes partnerëve qeveritarë për rindërtimin e Qeverisë. Për cilët prej këtyre resorëve do të arrihet marrëveshje mes kryeministrit Hristijan Mickoski, bashkëkryetarëve të VLEN-it Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, si dhe kryetarit të ZNAM, Maksim Dimitrievski, për rotacion ose emërim të ministrave të rinj, pritet të bëhet më e qartë që nesër. Më pas, partnerët qeveritarë do të konkretizojnë edhe zgjidhjet kadrovike për resorët.

Sipas informacioneve, VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se Ministria e Shëndetësisë duhet të udhëhiqet prej saj, ndërsa ofron ose rotacionon Kulturën, Sportin dhe Bujqësinë. VLEN do të pranonte ta lëshonte Shëndetësinë, por në këmbim kërkon Ministrinë e Arsimit ose që Shëndetësia të mbetet nën drejtimin e saj, me rotacion mes ministrit Azir Aliu dhe zëvendëskryeministrit Bekim Sali.

Në tryezë për rotacion është edhe posti i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë së bashku me Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Sipas këtij skenari, ministrinë që aktualisht e udhëheq Ivan Stoilkoviq do ta merrte VLEN-i, Stoilkoviqi do të largohej nga Qeveria, ndërsa resori për qeverisje të mirë do t’i kalonte VMRO-DPMNE-së. Jozyrtarisht, është e mundur që në vendin e Stoilkoviqit të emërohet një kuadër nga Fronti Evropian, pasi VMRO-DPMNE thuhet se po e ruan atë pozitë për partinë turke nga opozita.

VLEN është i gatshëm të shkëmbejë edhe resorin e Politikës Sociale për postin në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas informacioneve jozyrtare, ZNAM pothuajse me siguri do të mbetet pa Ministrinë e Drejtësisë, pasi Dimitrievskit i është thënë se ky resor konsiderohet problematik. Për momentin nuk ka marrëveshje nëse Drejtësia do t’i takojë VMRO-DPMNE-së apo VLEN-it. Jozyrtarisht, qëndrimi i partnerëve qeveritarë është se ZNAM ka më shumë pushtet sesa pesha e saj politike.

ZNAM, ndërkohë, mbetet në qëndrimin se me VMRO-DPMNE-në ka një marrëveshje katërvjeçare për qeverisjen dhe se ajo nuk duhet të ndryshohet. Kjo do të thotë se partia konsideron se nuk duhet të preken resorët që aktualisht i udhëheq. Ekipi negociues i ZNAM-it ende nuk ka marrë përgjigje nga Mickoski për përmasat e rindërtimit të Qeverisë, nëse është bërë vlerësimi i punës së të gjithë ministrave dhe nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Përgjigjja nga VMRO-DPMNE ka qenë se analizat ende po vazhdojnë.

Gjithashtu, ende nuk dihet se si do të veprojë ZNAM nëse humbet Ministrinë e Drejtësisë dhe mbetet vetëm me një ministri, pasi çdo marrëveshje e arritur mes partnerëve qeveritarë duhet të kalojë në organet partiake të ZNAM-it.

Mickoski deklaroi se deri në fund të javës do të jenë të njohura zgjidhjet kadrovike dhe detajet e rindërtimit të Qeverisë, ndërsa gjatë këtyre ditëve do të zhvillohen takime me partnerët qeveritarë.

“Në bisedimet e para mbizotëron një atmosferë konstruktive. Gjatë kësaj jave do të kemi sërish takime, pres që ato të jenë përfundimtare, ndërsa gjatë fundjavës gjithçka të formalizohet me emra dhe specifika të tjera”, tha Mickoski.

Zëvendëskryeministri Bekim Sali, në një intervistë për “360 gradë”, konfirmoi se po bisedohet për ndryshime të resorëve dhe se në lojë janë Shëndetësia dhe Çështjet Evropiane. Për Ministrinë e Drejtësisë ai tha se është e sigurt se aty do të ketë një kuadër të ri, pa saktësuar se nga cila parti.

I pyetur për deklaratën e liderit të Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari, se do të rikthehej në Qeveri vetëm me një marrëveshje të re që garanton fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, Mickoski tha se çështje të tilla nuk diskutohen përmes mediave.

“Nuk ka garanci më të madhe për rrugën eurointegruese të shtetit sesa ndërprerja përfundimtare e kontratës me kompaninë ‘Gjoka Construction’. Këto gjëra nuk diskutohen përmes mediave”, tha Mickoski.

Taravari, në një intervistë për televizionin “Shenja”, duke iu përgjigjur pyetjes nëse është e mundur që Aleanca për Shqiptarët të bëhet sërish pjesë e pushtetit ekzekutiv, tha se do të ishte poshtëruese të rikthehej në një qeveri nga e cila tashmë është larguar, por nuk e përjashtoi mundësinë e bisedimeve nëse arrihet një marrëveshje e re politike.

“Vetëm me një marrëveshje të re, e cila do të përmbante të paktën garanci për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, mund të bisedohet edhe për ndryshimet kushtetuese. Në të kundërtën, ne nuk kemi çfarë të kërkojmë aty”, tha Taravari.