Oficer i amerikan i këmbësorisë, Steve Russell ka filluar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë. Ai i ka konfirmuar deklaratat paraprake të dhëna pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Trupi gjykues i dhomave të Specializuara e ka aprovuar kërkesën që me të në sallë të jenë tre përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Parashtrimi i pyetjeve nga prokuroria ka nisur me pyetjet lidhur me çarmatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë procesin e dorëzimit të armëve nga UÇK-ja te KFOR-i.
Prokurori Matthew Halling e pyeti dëshmitarin për një dokument ku tha se UÇK-ja përkushtohet për të mos i dëmtuar civilët. Tha se ka nënshkrim të Hashim Thaçit. E dëshmitari e konfirmoi dokumentin e më pas ai u pranua si provë materiale.
Seanca e Speciales nis me probleme teknike
I akuzuari Jakup Krasniqi i cili po e përcillte seancën në distancë nuk ka mundur ta dëgjojë përkthimin.
Trupi gjykues caktoi pesë minuta pushim për ta rregulluar problemin teknik.
Para se të dilte trupi gjykues nga salla në transmetim u dëgjua Krasniqi duke thënë “po ju dëgjoj”.
Megjithatë, transmetimi u ndërpre pasi trupi gjykues doli nga salla.
Pas më pak se pesë minutash rinisi transmetimi.
Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për të hënën është paralajmëruar dëgjimi i një dëshmitari në seancë publike.
Sot vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Pas rreth tri jave në pushim, Gjykata Speciale në Hagë do të vazhdojë gjykimin ndaj krerët e UÇK-së.
Sipas kalendarit të publikuar nga ky institucion, seancat do të mbahen më 19, 20 dhe 21 gusht 2024, duke vazhduar edhe në javët e tjera.
Ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Pjetër Shala, i njohur me nofkën Komandant “Ujku” u dënua me 18 vjet burgim më 16.07.2024 nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte. Ai akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje në Kukës, në një fabrikë metali për të cilën aktakuza pretendon se u përdor nga UÇK-ja si qendër paraburgimi. Gjykata me rastin e shpalljes së aktgjykimit theksoi se pika e aktakuzës së trajtimit mizor është mbuluar me akuzën për torturë.
Kjo Gjykatë shpalli aktgjykim dënues edhe ndaj Salih Mustafës më 16.12.2022 për krime lufte ku ai u dënua me 26 vjet burg, por shkalla e dytë i’a zbriti dënimin në 22 vjet burgim. Në procesin gjyqësor ndaj tij ishin dëgjuar 29 dëshmitarë (14 për ZPS-në dhe 15 për Mbrojtjen), kurse numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë rast ishin 8.
Aktualisht në këtë Gjykatë në proces gjyqësor janë rastet Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi (KSC-BC-2020-06), ku po dëgjohen dëshmitarët e prokurorisë, Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala aktakuza kundër të cilëve është bashkuar (KSC -BC-2023-10 ), kurse ndaj Isni Kilajt nuk ka ende aktakuzë, dhe konsiderohet vetëm si i dyshuar.