Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se pas incidentit të ndodhur në Skënderaj, dy persona me inicialet E.L. dhe B.N. janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”. Sipas autoriteteve, gjatë ditës janë ndërmarrë veprime hetimore në bashkëpunim me policinë, duke përfshirë mbledhjen e provave dhe intervistimin e personave të përfshirë në rast.

Në cilësinë e viktimave janë marrë në pyetje H.M. dhe B.Z., të cilët kanë pësuar lëndime të lehta si pasojë e përplasjes fizike. Gjithashtu, janë intervistuar edhe pesë dëshmitarë lidhur me rrethanat e ngjarjes. Prokuroria ka bërë të ditur se dy persona të tjerë, me inicialet S.L. dhe K.H., ende nuk janë paraqitur për intervistim pavarësisht ftesës së dërguar nga organet hetimore.

Ndërkohë, reagime politike kanë shoqëruar zhvillimet në Skënderaj. Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Albin Kurti se po tensionon situatën në këtë komunë përmes, siç kanë thënë ata, “provokimeve ndaj qytetarëve”. Sipas deklarimeve të zyrtarëve të PDK-së, veprimet e institucioneve shtetërore në Skënderaj po rikthejnë kujtime të periudhave të rënda të kontrollit dhe presionit shtetëror nga koha e ish-Jugosllavia.