Forcimi i kapaciteteve institucionale, temë e takimit mes ministrit Ferati dhe përfaqësuesve të IFES-it

Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, sot zhvilloi një takim pune me përfaqësues të IFES-it, ku u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare në mbështetje të proceseve demokratike dhe zhvillimit institucional.

Gjatë takimit, siç njoftoi Kabineti i Feratit, u shkëmbyen mendime për sfidat dhe nevojat aktuale të Ministrisë, me theks të veçantë në përmirësimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e efikasitetit në zbatimin e kompetencave të saj.

“Në këtë drejtim, si ministri Ferati, ashtu edhe përfaqësuesit e IFES-it shprehën gatishmërinë për të shqyrtuar mundësi konkrete bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, përfshirë zhvillimin profesional të të punësuarve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale. U vlerësua se bashkëpunimi i vazhdueshëm do të kontribuojë në forcimin e institucioneve, promovimin e vlerave demokratike dhe përmirësimin e shërbimeve në interes të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Feratit.