Për disa vite me radhë, numri i pasagjerëve që përdorin shërbimin në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës është vazhdimisht në rritje. Këtë e konfirmojnë të dhënat e fundit të publikuara nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve. Të dhënat nga ky grafik tregojnë se për periudhën janar-gusht 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, numri i pasagjerëve që kanë përdorur aeroportin e Tiranës është rritur me 259,4 për qind, shkruan kryeministri Edi Rama në Facebook.

Vitin e kaluar janë regjistruar 7.5 milionë pasagjerë, ndërsa këtë vit pritet një shifër më e lartë se 10 milionë. Siç shprehet Rama, vetëm në korrik ka pasur mbi 1.2 milionë pasagjerë.

Shërbimet e këtij aeroporti, nga ku mund të udhëtoni aktualisht në më shumë se 100 destinacione, shfrytëzohen nga një numër në rritje i qytetarëve të Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas renditjes së Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve, ky i Tiranës lë pas jo vetëm vendet e rajonit me turizëm të konsoliduar, por edhe shumë vende të Europës.

Kroacia shënoi rritje prej vetëm 18,2 për qind, Italia 14,7 për qind, Maqedonia e Veriut 19,6 për qind dhe Serbia 32 për qind. Mali i Zi ka pësuar një rënie prej 12.5 për qind të numrit të udhëtarëve që kalojnë nëpër aeroportin e Podgoricës, ndërsa Kosova ka shënuar një rritje të konsiderueshme prej 71.2 për qind.