Kryetari i Shkupit, Orce Gjeorgjievski njoftoi se kontrolli i brendshëm i Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik ka kapur disa punonjës duke vjedhur një sasi të konsiderueshme nafte nga garazhet e ndërmarrjes në Gjorçe Petrov. Menjëherë është thirrur policia, ndërsa punonjësit do të largohen nga puna, përcjell TV21.
“Punonjësit do të largohen nga puna, ndërsa pres që Prokuroria të hapë procedurë dhe secili për të cilin do të konstatohet përgjegjësi të përgjigjet para ligjit. Të nderuar shkupjanë, pikërisht për këtë flas kur them se qyteti për vite me radhë është shkatërruar në mënyrë sistematike. Çdo litër naftë në ato garazhe është paguar me paratë tuaja, që autobusët e NQP-së t’ju çojnë në punë, në shkollë dhe në shtëpi. Detyrimi im është të kujdesem për çdo denar tuajin. Kushdo që guxon të përvetësojë paratë tuaja, do të sanksionohet. Pa përjashtim!”, tha Gjeorgjievski.
I pari i Shkupit theksoi se, sipas tij, ndryshe nga e kaluara, tashmë po veprohet ashpër kundër kriminalitetit, duke u zotuar se do të luftojë korrupsionin në Shkup.
“Vetëm duke goditur drejtpërdrejt, mund të luftojmë kundër të korruptuarve që po e shkatërrojnë Shkupin tonë dhe tuajin. Për Shkupin luftojmë me të gjitha forcat!”, tha më tej ai./TV21



