Nëse propozim ndryshimet e ligjit për të drejta të posaçme për “branitellat” dhe familjeve të tyre gjetën hapësirë në rendin e ditës së seancës së djeshme kuvendore, të njëjtat nuk gjetën hapësirë në rendin e ditës në Komisionin për Politikë Sociale, edhe pse e njëjta sipas rregullores, duheshte të debatojë në afat prej 24 orëve. Kryetarja e këtij komisioni, Ilire Dauti, nga Frontit Europian, për TV21 tha se derisa ajo është kryetare e komisionit, ky propozim ligj nuk ka gjasa të gjendet në rend dite. Çështje tjetër është nëse kryetari i Kuvendit Afrim Gashi e merr përsipër shtoi ajo.

“E sa për çështjet e tjera që kryetari i Kuvendit mund të mi merr ingerencat mua si kryetare e komisionit dhe të mer përsipër që vet ta kalojë në atë komision, duke i patur parasysh sjelljet e VLEN-it në përgjithësi, nuk është çudi që mund të ndodhë. Por unë mund të sigurojë për veten time sepse gjërat që ata i kanë në duar unë s’mund t’u përzihem sepse po të kishin vepruar sipas asaj që unë mendoj, shumë gjëra nuk do t’i kishin bërë deri tani. Nëse ata vendosin që të sillen në atë formë përsëri do të duhet vet ta mbajnë përgjegjësinë por unë u siguroj se unë si kryetare e komisionit nuk e fus atë pikë në rend dite për sa kohë që jam kryetare”, tha Ilire Dauti.

Kontribut për mos vendosjen në rend dite të kësaj pike, thonë se kanë edhe koalicioni VLEN. Deputeti Rijad Shaqiri, për TV21 thotë se reagimet e tyre kanë qenë të ashpra dhe për këtë shkak nuk është vendosur.

“Dje ishte dmth në seancë plenare në rend dite dhe është futur në rendin e ditës. Sot në kuadër të komisionit nuk është vendosur në rend dite sepse reagimet tona kanë qenë të ashpërta dhe do të vazhdojnë të jenë të ashpërta, deri në momentin sa që nuk gjendet zgjidhje e përgjithshme edhe për ish pjesëtarët e UÇK-së. Unë kujtoj ky ligj kur është miratuar fillimisht është dashur të ketë edhe ngërthimin në vete të pjesëtarëve të ish UÇK-së”, tha Rijad Shaqiri.

E ndonëse të dy koalicionet, si VLEN ashtu edhe Fronti Europian në rrjetet sociale njoftonin se kanë bllokuar kalimin në komision të këtij propozim ligj, deputeti Rijad Shaqiri thotë se në fakt meritat duhet të jenë të të gjithë deputetëve shqiptar dhe askush nuk mund t’i përvetësojë.

“Meritat askush nuk mund t’i përvetësojë sa i përket këtij ligji që të hyjë në procedurë apo të mos hyjë në procedurë. Meritat janë të përgjithshme, çdo deputet shqiptar që është zgjedhur me votat shqiptare e ka për obligim kombëtar që këtë ligj ta pengojë”, deklaroi Shaqiri.

Edhe deputetja Dauti thotë se ajo si kryetare, thjeshtë e ka kryer obligimin e saj si deputete shqiptare.

“Sepse unë vetëm kam bërë detyrën time si deputete e zgjedhur prej elektoratit shqiptar dhe e kam kryer obligimin dhe përgjegjësitë e mia. Realisht unë sot nuk e kam futur në rend dite ligjin për branitellat, gjë të cilën ka mundur ta bënte prej dje kryetari i Kuvendit, z.Afrim Gashi”, u shpreh Dauti.

Si Fronti Europian ashtu edhe koalicioni VLEN, thonë se nëse ligji për “Branitellat” duhet të miratohet, atëherë i njëjti duhet të përfshijë edhe ish ushtarët e UÇK-së, të cilët gjithashtu janë shtetas të Maqedonisë.