Drejtësi për Frosinën, burg për Vasilin, kjo ishte porosia kryesore e mijëra qytetarëve të cilët këto ditë po protestojnë për shkak të mossanksionimit dhe kërkojnë dënim më të ashpër për shkeljen e 22 vjeçares nga Negotina. Në opinion reagime të shumta u shkaktuan edhe pas publikimit të disa fotografive nga burgu i Shutkës ku duket i paraburgosuri Vasil Jovanov me celularë. Drejtori i Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve, Aleksandar Pandov tha se Jovanov e ka siguruar celularin nga një person tjetër nga qelia fqinje, të cilit ia ka bartur një polic burgu të paketuar në kuti me ëmbëlsira. Për policin është ngritur procedurë edhe nga Prokuroria publike.

Ndërsa tani pasi që ndodhi ngjarja tragjike, Këshilli Gjyqësor po e rishikon vendimin gjyqësorë paraprak për Jovanov për posedimin e lëndëve narkotike, për të cilin gjykatësja Aleksovska Stojanovka e ka dërguar në Shtëpi ndëshkuese përmirësuese në vend të burgut siç ka kërkuar atëherë Prokuroria. Kryetari i Këshillit Gjyqësor paralajmëroi sanksione për gjykatësen nëse vërtetohen parregullësi.

Ministri i drejtësisë, Igor Fillkov tha se gjykatësja Aleksovska Stojanovska është larguar nga grupi i punës për ndryshime të Kodit penal.

Për shkeljen e Frosinën qytetarët marshuan nëpër bulevardet e kryeqytetit, deri te Prokuroria, por edhe Gjykata penale. Ata kërkojnë drejtësi për 22 vjeçaren e cila të mërkurën u shkel nga 20 vjeçari Vasil Jovanov, i cili ka vozitur nën ndikim të alkoolit, pa leje për vozitje dhe duke kaluar në semafor të kuq me shpejtësi prej rreth 130 km/h.