Shumica parlamentare ka parashtruar kërkesë deri te Kuvendi që të mbahet debat publik për ndryshimin e rregullave ligjore për rritjen e sigurisë së qytetarëve në trafik, ku do të ftohen edhe ekspertë, përcjell TV21. Në kërkesë janë nënshkruar deputetët e VMRO-DPMNE-së, VLEN dhe ZNAM, ndërsa edhe opozita e mbështet.

“Është koha për hapa serioz dhe zgjidhje sistematike. Siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet për të gjithë ndërsa kjo do të thotë ndryshim në ligjet që do të sigurojnë mbrojtje, parandalim dhe reagime efikase institucionale. Porositim dhe bëjmë thirrje deri te të gjithë se qëllimi për debat profesional dhe me ekspertë është prioritet dhe si shumicë parlametnare nuk do të lejojmë politizim të kësaj teme”, tha Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.

“Besoj se nga debati publik do të dalin edhe propozime të tjera të cilat do ta sfidojnë rregullimin edhe të çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me drejtpërdrejtë ndoshta edhe me drejtësinë dhe me sistemin e drejtësisë në përgjithësi sepse kemi parë edhe këtyre ditëve shembullin kur edhe drejtësia sipas vlerësimit tonë nuk ka vepruar komform realitetit objektiv. Andaj në emër të grupit tonë parlamentar e përkrahim pa dyshim debatin publik”, tha Elmi Aziri nga FE.