Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Ahmet Gashi deklaroi sot se “miqësia dhe bashkëpunimi që ekziston mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të fuqizohet dhe përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen”.
Në konferencën e përbashkët me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Shkup, kryeparlamentari Gashi tha se “vendet tona në rrafshin ndërkombëtar kanë qëllime dhe interesa të njëjta siç është anëtarësimi në Bashkimin Europian, bashkëpunimi edhe më i madh në fushën e mbrojtjes në kuadër të aleancës së NATO-s si dhe të zhvillimit rajonal”.
Mendoj, vijoi Gashi, se kjo është e mundur duke pasur parasysh se shoqëritë tona po zhvillohen edhe më shumë dhe ka edhe më shumë vullnet politik në hapësirën për bashkëpunim.
“Në takimin tonë ne shprehëm pritshmëritë dhe shpresën se dy vendet tona do të kenë bashkëpunimin e tyre drejt integrimit europian. Ne besojmë se kjo është shumë e rëndësishme për të dy vendet tona po ashtu edhe për vendet e rajonit. Po ashtu theksuam se zgjerimi është një nga politikat më të mira të unionit, me domosdoshmëri gjeo-strategjike, por edhe me investim afatgjatë për të gjithë Europën në aspektin politik, të sigurisë dhe ekonomisë”, nënvizoi Gashi.
Gjithashtu, shtoi Gashi, ne konstatuam se në periudhën e ardhshme Ballkanin e presin edhe sfida të tjera, të cilat kërkojnë prej nesh më shumë bashkëpunim, mbështetje dhe ndihmë më të madhe, të ndërsjellë, në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë në prosperitet dhe mirëqenie.