Qeveria mbetet në qëndrimin se autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë deri në fund të vitit 2026. Ky parashikim u përsërit gjatë inspektimit të sotëm të punimeve ndërtimore pranë nyjës së Podmoles, e cila nesër duhet të vihet në përdorim. Kjo nyje do të mundësojë lidhje të sigurt mes Ohrit dhe Strugës, por edhe të Maqedonisë me Shqipërinë. Me vënien në përdorim të kësaj nyje, zgjidhet edhe problemi i trashëguar nga qeveria e mëparshme, e cila vendosi ta shembte nyjën pa i zgjidhur më parë çështjet pronësore-juridike rreth shpronësimit. Po punohet intensivisht edhe në rrugët lidhëse, përmes të cilave të gjitha vendbanimet do të kenë qasje në autostradë.

 “Kështu që me nënkalimet dhe mbikalimet që po bëhen, si edhe me hyrjet, zgjidhen të gjitha fshatrat. Mbani parasysh që nuk kishte projekte, nuk kishte as shpronësim, qeveria në çdo mbledhje merr vendime për shpronësim dhe ato janë përfunduar, dhe nuk do të ketë fshat apo vendbanim në këtë segment që nuk do të lidhet ose drejtpërdrejt në autostradë, ose me një rrugë lidhëse në pikën më të afërt ku mund të lidhet me autostradën. Vetëm kur e gjithë kjo të jetë përfunduar, edhe ky segment do të vihet në funksion”, tha Aleksandar Nikolloski, ministër i Transportit.

Sipas Nikolloskit, nëse nuk do të bëheshin pikat lidhëse, segmenti nga Klimeshtani deri në Ohër tashmë do të ishte vënë në përdorim.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se po punohet intensivisht për segmentin, se kompanitë janë në terren ditë e natë, dhe i falënderoi qytetarët për durimin për shkak të projektit që po ndërtohet prej një dekade dhe që pësoi ndryshime dhe plotësime të mëdha të projektit.

 “Por këto janë projekte që duhet t’i bëjmë, siç tha edhe ministri, sepse thjesht 15.000 njerëz nuk mund nga vendbanimet e tyre të ‘fluturojnë’ në autostradë. Do të duhet edhe ata të kenë rrugë lidhëse nga vendbanimi i tyre deri te nyja me autostradën. Pse nuk ishte parashikuar kjo dhe nuk ishte bërë, kjo është temë tjetër.”

Mickoski shtoi se ka një dinamikë të madhe edhe në tre segmente të tjera: autostrada Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçani dhe Prilep – Manastir. Gjithashtu, ka dy thirrje publike për procedura tenderimi për dy segmente të tjera autostradash: Bukojçani – Kërçovë dhe pika kufitare Bllacë – Shkup. Ato janë në fazë të vlerësimeve dhe dorëzimit të ofertave financiare.