Protestat kundër Qeverisë serbe me moton “Serbi, zgjohu” janë mbajtur në dhjetëra qytete të Serbisë dhe në disa lokacione në Beograd. Në kryeqytetin serb dhe në Novi Sad ka pasur përplasje dhe incidente mes policisë dhe demonstruesve, ku janë plagosur si policë, ashtu edhe protestues.

Në Beograd, një kordon i xhandarmërisë është vendosur për të parandaluar përplasjet mes protestuesve dhe mbështetësve të Partisë Përparimtare Serbe. Dy grupet kanë shkëmbyer ofendime dhe kanë hedhur gjësende ndaj njëri-tjetrit, ndërsa policia është vendosur mes tyre. Pranë ndërtesës së Qeverisë është hedhur gaz lotsjellës

Në mesin e mbështetësve të partisë së tij zbriti edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq

“Si asnjëherë më parë na nevojitet ta dëgjojmë njëri-tjetrin, ta kuptojmë njëri-tjetrin dhe të mos e urrejmë askënd. Gjëra të veshtia sonte në Novi-Sad dhe kur tregoni vullnet dhe durim t’i zgjidhni çështjet në fund gjithmonë do të fitoni dhe Serbia do të fitojë,” deklaroi Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Edhe në protestën në Beogradin e Ri ka pasur përplasje të demonstruesve me policinë, raportoi televizioni N1. Pamjet treguan protestuesit duke hedhur sende të ndryshme drejt policisë.

Në Novi Sad, para zyrave të SNS-së, janë shënuar incidente të reja. Nga drejtimi i selisë së partisë janë hedhur mjete piroteknike drejt pjesëmarrësve të protestës, ndërsa pas përplasjes, disa dritare të ndërtesës janë thyer. Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se një polic është plagosur gjatë një “sulmi të protestuesve” ndaj zyrave të SNS-së në rrugën Strazhillovska. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq protestën e cilësoi si ‘sulm ndaj shtetit’. Ai tha se janë lënduar shumë qytetarë, si dhe më shumë se gjashtë policë.

“Shtetasit që po shkonin drejt selisë së Partisë Përparimtare Serbe, bllokuesit, demonstruesit, kanë sulmuar edhe qytetarë, edhe policinë, pa asnjë arsye. Policia ka shpëtuar jetë – si të qytetarëve, ashtu edhe të vetë policëve. Dhuna ka qenë më e madhe në Novi Sad dhe në Beograd,” tha Ivica Daçiq, Ministër i Brendshëm.

Daçiq paralajmëroi se të gjithë ata që kanë sulmuar policinë do të ndëshkohen dhe arrestohen brenda 48 orëve. Ndërkohë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd njoftoi se i ka dhënë urdhër policisë të identifikojë të gjitha personat që kanë sulmuar pjesëtarët e saj gjatë “tubimeve të paregjistruara të qytetarëve në territorin e kryeqytetit”.

Protestat u paralajmëruan në rrjetet sociale nga studentët, të cilët prej muajsh bllokojnë institucionet e arsimit të lartë në Serbi. Shkak për to u bënë ngjarjet e 12 gushtit në Vojvodinë, në qytetet Vërbas dhe Baçka Pallanka, ku pati përplasje mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të Qeverisë serbe.

Prej muajsh, para Parlamentit në Beograd, mbështetës të pushtetit kanë ngritur tenda dhe bllokojnë një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit, duke u vetëquajtur “studentë që duan të mësojnë”. Sipas tyre, kjo është përgjigjja ndaj protestave masive kundër Qeverisë në të gjithë Serbinë. Protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët në Serbi po zgjasin për më shumë se tetë muaj. Kërkesa kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad. /alsat.mk

The post Serbia po përjeton një valë protestash në qytetet kryesore, të cilat u shoqëruan me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe mbështetësve të partisë së Vuçiçit appeared first on Alsat.