Rrugën e parë nëntokësore e paralajmëroi kandidati për qytetin e Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski, në emisionin “Click Plus” në TV21. Si do ta realizojë dhe cila do të jetë traseja?

“Mua në këtë pjesë të Shkupit, ndërmjet Kisella Vodës dhe Qendrës, do të më kujtojnë për “Limak”, vite pas meje. Disa ndoshta do ta ndryshojnë asfaltin atje, disa ndoshta, nuk e di, do të mbjellin lule të reja tek rrethrrotullimet te “Maqedonia e Re”, por unë do të jem njeriu që do ta ndërtojë rrugën e parë të trafikut nëntokësor në qytetin e Shkupit “Limak”. Është e mbetur vetëm të asfaltohet deri në fund, atje ka tetë korsi, nga tre anash ka për trafik dykahësh për automjete dhe në mes ka edhe dy korsi për autobusë”, tha Gjorgjievski.

Por çfarë me deponitë ilegale, nga të cilat problemin më të madh e krijon Vardarishte. Gjorgjievski paralajmëron se do t’i shndërrojë në parqe.

“Kur jemi te Vardarishte, unë tashmë paralajmërova se atje do të mbijnë mushkëritë e reja të Shkupit, gjegjësisht një mega-park që do ta ndërtoj unë në një sipërfaqe prej 300 mijë metrash katrorë. Kjo nuk do të thotë nesër të fillojmë të mbjellim bar në Vardarishte, kjo nënkupton proces dekontaminimi të tërë asaj hapësire. Një nga aktivitetet e para që duhet t’i bëjë një njeri që ka qëllime të ndershme dhe serioze që ky qytet të bëhet vend më i bukur për të jetuar dhe më i pastër me ajër më të mirë ambienti është që së pari të hiqen deponitë”, deklaroi ai.

Rreth planeve për përmirësimin e transportit publik, Gjorgjievski paralajmëroi 80 autobusë të rinj për Shkupin që në fillim të vitit të ardhshëm.