Gjyqi ndaj ish-presidentit të rrëzuar të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, është caktuar të nisë më 1 qershor të vitit 2027. Kështu urdhëroi të mërkurën një gjykatës në New York, transmeton “BBC”.

Forcat amerikane kapën Maduron dhe Floresin nga rezidenca e tyre në kryeqytetin venezuelan, Caracas, në një bastisje dramatike gjatë natës më 3 janar, dhe i sollën në New York për t’u përballur me akuza për armë dhe drogë, të cilat ata i mohojnë.

Gjykatësi Alvin Hellerstein caktoi një seancë paraprake për 17 nëntor për t’i shqyrtuar mocionet e të dyja palëve.

Avokati i Maduros, Barry Pollack, sinjalizoi se në gjyq do të argumentojë se klienti i tij mbrohej nga imuniteti sovran, një parim ligjor që mbron krerët e shteteve nga ndjekja penale.

Salla e gjyqit ishte e mbushur me spektatorë, me disa persona që prisnin në radhë për orë të tëra për të pasur mundësinë ta shihnin Maduron personalisht.

Para se të niste seanca, një oficer i gjykatës paralajmëroi publikun të qëndronte ulur dhe se “nuk mund t’i thonë asgjë atij.”

Kushdo që nuk do të respektonte rregullat e sallës “mund të kishte probleme ligjore edhe vetë”, paralajmëroi oficeri.

Maduro dhe Flores qëndruan të qetë, duke mbajtur kufje për përkthim, ndërsa avokatët e tyre diskutonin me gjykatësin.

Kur erdhi koha për t’u larguar, Maduro u ngrit në këmbë. Ai u kthye nga publiku dhe bëri një përshëndetje të vetme me dorë, përpara se të zhdukej në korridoret e brendshme të gjykatës nën shoqërimin e marshallëve amerikanë.

Jashtë sallës së gjyqit, protestues kundër luftës dënuan operacionin ushtarak amerikan që çoi në kapjen e Maduros, duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Lironi Presidentin Maduro” dhe duke e cilësuar, sipas fjalëve të një protestuesi me megafon, “gjyqin farsë” që po zhvillohej brenda.