Gazetar: Avni Tahiri

“Kjo është një ndër shumë puseta këtu në rrugën e Kaçanikut e cila është në këtë gjendje ndërsa siç mund të shihet, për të kaluar këtë vend vozitësit duhet të përballën me shumë vështirësi”, thotë Avni Tahiri, Gazetar.

Rruga e Kaçanikut është ndër më të frekuentuarat në Shkup. Mijëra vetura dhe automjete transportuese të mallrave, çdo ditë shkelin neper gropa. Vozitësit thonë se këtë rrugë tani e kanë emëruar si “rruga e gropave” për shkak të infrastrukturës së keqe dhe pusetave në mes të rrugës.

”Unë duke i njohur rrethanat asnjëherë nuk shkeli në pusetat pasi e di se mund të prish veturën. Kisha një rast në familjen time kur një i afërt erdhi nga mërgimi dhe e theu veturën e re dhe mbeti në rrugë e askush nuk mban përgjegjësi edhe pse për këto rrugë paguajmë sigurim. Kjo është shumë e frekuentuar pasi lidhet Kosovën me Shkupin dhe është katastrofë. Ka ndodhur që kapakët e pusetave janë të ngritura ose mungojnë, por edhe nëse shkel mbi kapak ato luhaten dhe është rrezik edhe për jetën.”;  thotë një qytetar.

”Kjo rrugë është katastrofë, gropa dhe rrëmujë në çdo kohë. Është shumë e vështirë për ta kaluar. I thyeni veturat shpesh? Unë jam me kamion por ja si është, përplot me gropa. Një pusete më poshtë i mungonte edhe kapaku. Ato prishen çdo ditë.” tha një qytetar tjetër.

“Duam të hyjmë në Evrope por fillimisht atë duhet ta sjellim këtu që ata të na pranojnë. Kjo është pasqyrë e shtetit dhe kjo patjetër të rregullohet por fillimisht të ketë planifikim hapësinor.”, u shpreh qytetari.

Nga qyteti i Shkupit thonë se prioritet janë nyja rrugore te Momin Potok dhe segmenti deri te kryqëzimi me Bulevardin “Slovenija”. Paralelisht po përfundohet dokumentacioni për bulevardet “Cvetan Dimov” dhe “Brigada Maqedono – Kosovare”. Pas këtyre projekteve, po shqyrtohet edhe rikonstruksioni i plotë i rrugës në Vizbeg, pranë zonës industriale.

“Qyteti i Shkupit ka vënë fokus të madh te nyja rrugore te Momin Potok, si dhe te segmenti deri te kryqëzimi me Bulevardin “Slovenija”. Paralelisht po përfundon kompletimi i dokumentacionit për bulevardet “Cvetan Dimov” dhe “Brigada Maqedono – Kosovare”, me ç ‘rast parashihet zgjerimi i tyre dhe zgjidhja e përhershme e kaosit në trafik. Pas përfundimit të këtyre projekteve, po shqyrtohet mundësia për rikonstruksion të plotë të rrugës në Vizbeg, pranë zonës industriale”, deklaruan nga Qyteti i Shkupit.

Deri në zgjidhjen e problemit të rikonstruksionit të rrugës në zonën industriale në Vizbeg, vozitësit do të duhet të kenë kujdes të shtuar dhe të shmangin gropat për të mos dëmtuar automjetet e tyre. /Alsat.mk

The post Gropat në rrugën e zonës industriale në Vizbeg po i shkatërrojnë veturat appeared first on Alsat.