Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka cilësuar përballjen e së dielës në Premier Ligë ndaj Arsenalit si një finale, duke thënë se një humbje do t’i jepte fund praktikisht shpresave të skuadrës së tij për titull, para ndeshjes shumë të pritur në stadiumin “Etihad”.

City ndodhet gjashtë pikë pas Arsenalit, por ka një ndeshje më pak, dhe një fitore do ta ngushtonte diferencën duke rritur presionin në fazën vendimtare të garës.

Megjithatë, Guardiola tha se nuk ka vend për gabime, duke pranuar se çdo rezultat tjetër përveç fitores do ta linte ekipin e tij përballë një misioni shumë të vështirë. Pavarësisht diferencave të vogla, Guardiola tha se City ka besim, duke theksuar se vetëbesimi është thelbësor në këtë fazë të sezonit, raporton flashscore.

“Po, sigurisht. Nëse humbasim, gjithçka ka mbaruar. Nëse do të mund ta blinim vetëbesimin në supermarket, do ta blinim menjëherë. Është një nga aspektet më të rëndësishme” – tha ai në konferencë për shtyp.

Guardiola konfirmoi se Nico O’Reilly, i cili shënoi dy gola në fitoren 2-0 të Cityt ndaj Arsenalit në finalen e Kupës së Ligës, është në gjendje të mirë, pasi kishte shqetësime në kofshën e majtë në ndeshjen e fundit ndaj Chelseat.

Ajo fitore ishte pjesë e një forme të mirë të Cityt, që përfshin edhe fitoren 4-0 ndaj Liverpoolit në çerekfinalen e Kupës FA. Ata nuk kanë humbur në kampionat që nga mesi i janarit.

“Nëse luajmë si në pjesën e dytë për 95 minuta dhe ata luajnë po ashtu si në atë pjesë, ne do të fitojmë. Ndoshta jo, sepse futbolli është i paparashikueshëm” – tha Guardiola.

Guardiola theksoi se City duhet të përmirësohet edhe më shumë nëse dëshiron të mbetet në garë për titull në javët e fundit.

“Duhet të bëhemi edhe më të mirë. Pjesa e parë ndaj Chelseat nuk ishte e keqe, por as shumë e mirë. 30 minutat e para ndaj Liverpoolit nuk ishin të mira. Edhe ndaj Arsenalit në finale, ata ishin më të mirë në fillim” – tha tutje ai.

Guardiola shtoi se City mbetet krenar që është ende në garë në disa fronte, edhe pse rezultati i së dielës mund të jetë vendimtar.

“Do të shohim çfarë do të ndodhë. Por nuk mbaron asgjë derisa të mbarojë, dhe ne jemi ende këtu. Jam krenar që vazhdojmë t’i sfidojmë” – përfundoi Guardiola.

Manchester City ndeshjen e ardhshme e luan kundër Arsenalit më 19 prill, nga ora 17:30.