Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për korrupsion. Ai ka thënë se që nga ardhja në pushtet Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje “e kanë vjedhur popullin e Kosovës”.
“Kur flet Kurti për korrupsionin sikur edhe për shumë tema tjera vjen një shprehje ajo fjala popullore ‘të vret natën e të vajton ditën’. Që nga ardhja në pushtet Kurti dhe VV me mashtrime dhe në formën më tinzare në mënyrë sistematike dhe tek resorët më të ndjeshëm vodhën popullin e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Haradinaj ka akuzuar pushtetin për vjedhje të rezervave e të rrymës.
“Me Ridin vodhën bukën e Kosovës atëherë kur kishte frikë botërore nga kriza e bukës. Me Nagipin vodhën rrymën në kohën kur në bursa çmimi kishte arritur majat e papara. Popullit ja dyfishuan çmimin e Nagipin e Martinin që ndërmjetësoj në shitjen e rrymës serbe ende i mbrojnë dhe i mbajnë si heronj. Mbi 280 milionë euro para të popullit i larguan nga konkurrenca dhe ligji dhe me partnerë në krim i përdorën si me qenë plaqkë gjahu”, ka shtuar Haradinaj.
Udhëheqësi i AAK-së ka folur edhe për kontratat e klasifikuara. Në fund ka thënë se “asgjë nuk do ta ndalë deklasifikimin e tyre dhe konfrontimin e hajnive të tyre me qytetarin”.
“E shpejtë do të jetë dita kur lufta e njëmendtë kundër korrupcionit do të filloj e “vajtuesit e ditës” do të shihet se janë kriminelët më të mëdhenj të këtij vendi”, ka përfunduar Haradinaj.