Gazetar: Suad Bajrami

Kontrolli i brendshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme po e heton rastin për dhënien e kategorive për patentë shoferë në mënyrë të paligjshme. Sipas informatave, për dhënien e kategorisë C dhe D është paguar nga 1.400 euro edhe pse kandidatët fare nuk kanë hyrë në testime.

“Nga ana e Sektorit për Punë të Brendshme, hetime kriminalistike dhe standarde profesionale të MPB-së, është njoftuar edhe Prokuroria kompetente dhe në koordinim me Prokurorinë po ndërmerren masa përkatëse dhe aktivitete për pastrimin e rastit”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Rasti udhëhiqet në Prokurorinë e Shkupit, pasi të dyshuarit e përfshirë në skandal, nuk kanë autorizime policore, por janë punonjës administrativë të MPB-së.

Jozyrtarisht mësohet se skema ka funksionuar në mënyrë që fillimisht personi që ka dhënë para ka denoncuar rrejshëm humbjen e patentës së shoferit dhe ka dorëzuar kërkesë të re. Gjatë fotografimit për dokumentin e ri, në sistem vetëm janë shtuar kategoritë më të larta, ndërsa shoferi ka marrë patentë të re me të drejtë për vozitur kamionë edhe pse nuk i ka kaluar testet e nevojshme.

Ekzistojnë dyshime se një pjesë e të dyshuarve kanë qenë pjesë e grupit që paraprakisht kanë qenë pjesë e aferës me dhënien e pasaportave në këmbim të parave. Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se nuk dëshiron të japë detaje, por se thelbi është i njëjtë.

Për rastin, partia e Majta ka akuzuar udhëheqësinë e MPB-së se nuk ka arritur të parandalojë keqpërdorimet, ndërsa kërkon llogari nga Toshkovski. /Alsat.mk

The post Hetim për blerjen e kategorive të patentës së shoferit në mënyrë të paligjshme, dyshohet se janë paguar nga 1.400 euro appeared first on Alsat.