Tre shtetas të Maqedonisë, mes tyre edhe dy fëmijë të mitur, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur dje në Slloveni. Aksidenti ka ndodhur në autostradë, në afërsi të Unecit. Sipas informacioneve nga shërbimet sllovene, makina, për shkaqe ende të panjohura, është përplasur në pjesën e pasme, në anën e majtë të rimorkios së një kamioni të ndaluar. Kamioni më herët kishte ndaluar në hapësirën për ndalim për shkak të një defekti. Informacionet për aksidentin e rëndë të trafikut i ka konfirmuar edhe MPJ-ja e Maqedonisë.

“Në aksident kanë humbur jetën tre persona – një person madhor dhe dy persona të mitur, shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Janë lënduar edhe dy persona të tjerë që ndodheshin në automjet dhe të cilët gjithashtu janë shtetas të Maqedonisë. Rastin e trajtojnë organet kompetente policore në Koper. Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Lubjanë është në komunikim me institucionet kompetente sllovene dhe e ndjek rrjedhën e mëtejshme të procedurës”, thonë nga MPJ.

Në automjet ndodheshin pesë persona, të gjithë shtetas të Maqedonisë. Mjeku ka konstatuar vdekjen e tre personave në vendin e aksidentit. Një person i lënduar rëndë është transportuar me helikopter në spital, por sipas informacioneve nga Sllovenia, është jashtë rrezikut për jetën. Shoferi i lënduar është transportuar me automjet të Ndihmës së Shpejtë dhe ai ka pasur lëndime më të lehta. Aksidenti është raportuar në orën 16:28, pas së cilës në vendngjarje kanë ndërhyrë policia dhe zjarrfikësit. Ekspertizën e kanë kryer prokurori dhe gjyqtari hetues, ndërsa më shumë detaje priten pas përfundimit të hetimit.