I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, ka mbërritur të mërkurën në Shën Petersburg për t’u takuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, pas bisedimeve për paqen që i zhvilloi një ditë më parë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Oslo.
Këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yury Ushakov, tha se takimi do të mbahet gjatë gjysmës së parë të ditës të mërkurën, në Pallatin Konstantin, në Shën Petersburg.
Ai tha se Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, nuk do të marrë pjesë fizikisht në takim, për shkak të një sëmundjeje, por, sipas raportimeve, do t’i bashkohet atij virtualisht.
Takimi në Shën Petersburg do të jetë i nënti mes Witkoffit dhe liderit rus.
“Ne i kemi disa ide të qarta se si të arrihet paqja”, u tha Zelensky gazetarëve pas bisedimeve të mbajtura më të martën në Oslo, me ndërmjetësimin e kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Store, dhe presidentit finlandez, Alexander Stubb.
Zelensky tha se Witkoff do t’i paraqiste Rusisë një propozim për bisedime trepalëshe, ku do të merrnin pjesë liderët e Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
“Ne duam që amerikanët t’ua përcjellin këto ide rusëve”, tha Zelensky, duke shtuar se “njëra prej ideve të rëndësishme është kalimi drejt një takimi të mundshëm trepalësh mes liderëve, për të shtjelluar çështjet që mund t’i zgjidhin vetëm ata”.
Trump foli për mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Putinit dhe Zelenskyt, duke thënë se ata nuk kanë nevojë të takohen ballë për ballë për ta arritur një marrëveshje.
“Ata nuk kanë pse të jenë në të njëjtën dhomë. Besoj se mund ta bëjnë edhe në një mënyrë tjetër”, u tha Trump gazetarëve të martën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili po qëndron për vizitë në Indi, i përshkroi si “pozitive” bisedimet e Witkoffit me Zelenskyn në Oslo.
“Ishin pozitive, nuk pati asgjë të papritur apo befasuese. Tani, i pajisur me këto ide, ai do të mund të shkojë në Shën Petersburg dhe t’ia paraqesë ato palës ruse. Le të shohim nëse mund të bëjmë përparim”, u tha Rubio gazetarëve të mërkurën.
Zelensky tha se është mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për ofrimin e informacioneve të inteligjencës lidhur me sulmet ruse me raketa, duke shtuar se sistemet e paralajmërimit të hershëm tashmë po funksionojnë shumë mirë.
“Jemi mirënjohës që [tani po i marrim] të dhënat e inteligjencës… Po flas për paralajmërimin e hershëm, i cili është shumë i rëndësishëm për njerëzit tanë, për fëmijët, të rriturit dhe civilët, sepse mund të dëgjojmë sinjalizimet kur po afrohen raketat balistike”, u tha Zelensky gazetarëve në kryeqytetin norvegjez.
Stubb tha se bisedimet në Oslo sollën “përparim të vërtetë”, si për perspektivën afatgjatë, ashtu edhe për çështjet më urgjente.
Ai tha se pjesëmarrësit identifikuan “disa elemente të paqes” në kuadër të një këndvështrimi më të gjerë, si dhe pika kyçe që lidhen me sigurinë dhe ekonominë.
Trump kërkon lirimin e një amerikani të burgosur
Trump tha gjithashtu të martën se i kishte kërkuar Putinit lirimin e Stephen Hubbardit, një 72-vjeçari nga shteti amerikan i Miçiganit, i cili u kap nga trupat ruse në prill të vitit 2022 dhe u akuzua se ishte mercenar në radhët e forcave ukrainase. Megjithatë, nuk ishte e qartë nëse kjo kërkesë do të diskutohej gjatë takimit të Witkoffit me Putinin.
Në vitin 2024, një gjykatë ruse e dënoi Hubbardin me shtatë vjet burgim.
“Kam biseduar gjatë me të. I kam kërkuar që ta lirojë. Le të shohim se çfarë do të ndodhë”, u tha Trump gazetarëve në Uashington.
