Institucionet shtetërore tani do ta kenë në mbështetje edhe Qendrën nacionale të inteligjencës artificiale e quajtur “Qëndisësja” apo në maqedonisht “Vezilka”. Me projektin e promovuar sot, Maqedonia bëhet pjesë e rrjetit evropian të qendrave për inteligjencë artificiale dhe fiton qasje në infrastrukturën më moderne për zhvillimin e inteligjencës artificiale, superkompjuterët evropianë dhe mundësi të reja për kërkime dhe inovacione.

“Si Universitet kemi përgjegjësi të qartë të krijojmë kushte për zhvillimin e gjeneratave të reja si ekspertë dhe hulumtues, të nxisim dhe të sigurojmë njohuri në përparimin e shoqërisë. IA nuk është vetëm mjet teknologjik, ajo paraqet forcë transformuese dhe kërkon vigjilencë drejtuese”, deklaroi Biljana Angellova – Rektore e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.

Ministri për transformim digjital Stefan Andonovski tha se përmes “Qëndisëses” edhe Maqedonia do të ketë qasje në super kompjuterët dhe qendrat e të dhënave për zhvillimin e inteligjencës artificiale. Ai tha se dobi do të kenë edhe qytetarët për shërbime më të shpejta administrative ngaqë ndërlidhen shumë institucione përmes kësaj shkencës teknologjike.

“Në vitet e fundit Evropa e bëri të qartë se konkurrenca e ardhshme nuk do të matet vetëm me rrugë, hekurudha, biznese apo fabrika. Do të matet edhe me qasje në super kompjuterë, qendra të dhënave, data-baza, algoritme dhe talent. Pikërisht për këtë arsye BE angazhohet për zhvillimin e rrjetit dhe qendrave ‘AI factory’ në gjithë Evropën, infrastrukturë kjo që duhet ta sigurojnë institucionet, bizneset star-up, hulumtues Evropian që të kenë qasje në resurset moderne të inteligjencës artificiale”, deklaroi Stefan Andonovski – ministër i Transformimit Digjital.

Projekti kushton mbi 6 milionë euro dhe bashkë financohet përmes programit “Horizont Evropa” në kuadër të Komunitetit Evropian të Informatikës me performancë të Lartë (EuroHPC). “Qëndisësja” po zbatohet nëpërmjet një partneriteti strategjik me fabrikën greke të inteligjencës artificiale “Pharos”, duke e bashkuar kështu vendin në ekosistemin evropian për zhvillimin e inteligjencës artificiale.