Mesfushori i Kombëtares së Zvicrës me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, është bërë sërish subjekt diskutimesh në tregun e transferimeve, me AC Milan dhe Galatasaray që kanë shfaqur interes konkret për të, ndërsa Beşiktaş raportohet se ka hyrë në skenë me kontakte të para joformale.
Sipas “La Gazzetta dello Sport” dhe “Milan Reports”, drejtuesit e Milanit, në veçanti Igli Tare dhe trajneri Massimiliano Allegri, e shohin Xhakën si një përforcim ideal për mesin e fushës, për shkak të profilit të tij taktik dhe përvojës ndërkombëtare. Klubi kuqezi është i gatshëm të ofrojë 15–20 milionë euro për kartonin e tij.
Nga ana tjetër, raportet nga “Sky Germany” theksojnë se Xhaka nuk është duke kërkuar një largim nga Bayer Leverkusen, dhe marrëdhëniet e tij me klubin mbeten shumë të mira. Një transferim mund të ndodhë vetëm nëse vjen një ofertë “absolutisht e lartë”, çka nënkupton se Leverkusen nuk është i interesuar ta shesë mesfushorin për një çmim të zakonshëm.
“Aktualisht jam këtu… jemi të lumtur dhe kjo është ajo që ka rëndësi. Por në futboll asgjë nuk është e garantuar. Sot jam këtu, çfarë ndodh nesër nuk mund ta them me siguri.”
Ndërkohë, portali turk “TransferFeed” raporton se përfaqësues të Xhakës i kanë ofruar shërbimet e tij klubit Beşiktaş, si pjesë e një sondazhi paraprak për një transferim të mundshëm gjatë verës.
Për momentin, Xhaka mbetet pjesë kyçe e kampionëve të Bundesligës dhe fituesve të Kupës së Gjermanisë – Bayer Leverkusen – por e ardhmja e tij pritet të jetë një nga temat më të nxehta të merkatos verore 2025.
