I vendosur në kodrat në perëndim të kryeqytetit të Kroacisë, gjendet qyteti Samobor. Këtu, një grua është bërë një lloj legjende lokale, duke drejtuar një palestër në moshën 95 vjeçe, kjo është Gjurgja Vukoviq.

“Gjeta këtu strehim. Kur nëna ime ishte e sëmurë dhe më vonë kur vdiq, ai trishtim do të më kishte shkatërruar nëse nuk e kisha këtë. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për ushtrime fizike, por edhe për të folur me njerëz dhe për t’u shoqëruar. Ka ftesa për të shkuar në teatër, ka rekomandime për libra, për këtë apo atë autor”, tha Gjurgja Vukoviq..

Dy herë në javë, ajo i udhëheq gratë e moshuara përmes një kombinimi të aerobikut të lehtë, nxehjes dhe Pilates – lëvizje që i ka përsosur vetë gjatë më shumë se pesë dekadave.

“Kjo është gjithashtu shumë e mirë sepse u lejon njerëzve të shikojnë shumë më pak ekranet e televizionit dhe të shpenzojnë më pak kohë me këto lajme katastrofike të përditshme, të cilat në të vërtetë të bëjnë të pyesësh veten se çfarë është jeta. Por jeta është vetëm një hap i lehtë. Ne lindim, jetojmë një periudhë të caktuar, në një mënyrë ose në një tjetër – dhe pastaj zhdukesh nga bota, sikur të mos ishe kurrë këtu”, deklaroi Vukoviq.

Ajo është ish-inxhiniere farmaceutike, pasioni e saj për ushtrimet filloi në vitin 1964. Vetëm pesë vjet më vonë, ajo filloi të punojë si trajnere – në një kohë kur sportet e grave po merrnin intensitet. Orët janë të shkurtra, por ndikimi është i madh. Për shumë njerëz këtu, është një hapësirë për t’u kujdesur për trupat dhe shpirtrat e tyre.

“Një mike ime më tha se çdo javë ka një takim të këndshëm ku bëjnë ushtrime që u nevojiten njerëzve të moshës sonë. Isha rreth 60 vjeç e dhe vendosa ta provoja. Në përgjithësi jam në gjendje të mirë fizike, por me kalimin e viteve, gjërat bëhen serioze. Por pasi e provova, vazhdova rregullisht dhe ndihem shumë mirë duke e bërë”, tha Snezhana Pllatoniq.

“Vendosa ta bëja këtë për shkak të problemeve shëndetësore, kjo ishte arsyeja ime numër një. Por është gjithashtu e rëndësishme të kaloni kohë së bashku. Pas stërvitjes, na pëlqen të pimë kafe, të kalojmë kohë bashkë, ndonjëherë shkojmë edhe në udhëtime ditore bashkë. Pra, kjo vazhdon edhe jashtë palestrës dhe na lejon të kemi një stil jetese aktiv”, u shpreh Bozhica Birin.

Vukoviq është një fytyrë e njohur në Samobor, jo vetëm për punën e saj në sport, por edhe si humanitare, duke ndihmuar refugjatët gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990. Edhe pse ajo mbetet modeste, përkushtimi i saj me dekada u shpërbleu kohë më parë me një çmim për vepër jetësore.