Keqpërdorimi i funksionit, punësimet partiake, arrestimet dhe hetimet selektive janë vetëm një pjesë e arsyetimit për interpelancën e ngritur ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Gjatë ditës pati sulme të ashpra ndaj tij në Kuvend nga deputetët e opozitës, veçanërisht nga ata të Levicës, të cilët janë edhe iniciuesit e interpelancës.
“Kunati juaj, pra burri i motrës së bashkëshortes suaj, Stevço Jovakovski, u bë docent në Fakultetin e Sigurisë, ndërsa studenti më i mirë i gjeneratës mbeti pa u zgjedhur. Pastaj ministri dhe kryeministri habiten pse të rinjtë po largohen. Po largohen edhe vetë anëtarët e VMRO-së, sepse konkurset janë të kurdisura”, tha Dimtar Apasiev.
Përveç se nga foltorja numëroi hapat e ndërmarrë për përmirësimin e funksionimit të kësaj ministrie, Toshkovski porositi se sulmet ndaj tij janë në fakt sulme ndaj institucionit, i cili sipas tij, për herë të parë në tri dekada ka treguar se ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë.
“Duke më sulmuar mua, ju sulmoni një institucion që për herë të parë në 30 vjet tregoi se ligji vlen njësoj për të gjithë. Kjo veçanërisht i preku ata që mendonin se ishin të paprekshëm, e kjo është pushteti i mëparshëm i BDI-së dhe LSDM-së. Ata që grabitën dhe lanë pas vet es shkatërrim. Por kur një parti pretendon me zë të lartë se është kundër të gjithëve atyre, ndërsa sulmon pikërisht atë që po merret me mosndëshkueshmërinë e tyre, logjikisht shtrohet pyetja se kujt i shërben kjo. Kështu, Levica, e cila shtiret se është kundër të gjithëve, në praktikë u bë aleati më i dobishëm i atyre kundër të cilëve ndërtoi imazhin e saj gjatë viteve”, tha Pançe Toshkovski
Kritikave ndaj Toshkovskit iu bashkuan edhe deputetët e LSDM-së, duke përmendur rastet e fundit që janë cilësuar si skandale.
“Veçanërisht shqetësues është fakti se në opinion u shfaqën dyshime, të cilat u komentuan gjerësisht në media, për zbulimin e sekreteve zyrtare të lidhura me persona që kanë qenë pjesë e rrethit më të ngushtë të kryetarit të Qeverisë, por edhe për informacione lidhur me aferën nga kabineti i presidentit të shtetit. Një rast i tillë në mënyrë të pashmangshme hap dilema për efikasitetin e kontrollit të brendshëm, vlerësimet e sigurisë dhe mekanizmat për parandalimin e keqpërdorimit të informacioneve të sigurisë”, tha Blagoj Boçvarski
Përndryshe, para disa ditësh opozita paraqiti interpelancë edhe për një ministër tjetër të kësaj qeverie, Cvetan Tripunovski. Megjithatë, ajo nuk kaloi, pasi nuk mori numër të mjaftueshëm votash.
