Ish-kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm i Katarit Hamad bin Jassim Al Thani, deklaroi në një intervistë për Al Jazeera-n se lufta mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit nuk është një përshkallëzim i papritur, por rezultat i një plani afatgjatë izraelit për të ndryshuar me forcë hartën politike të Lindjes së Mesme.
Në intervistën e tij për programin “Al Muqabala”, ai paralajmëroi se rajoni po hyn në një periudhë shumë të rrezikshme dhe se pasojat e konfliktit do të ndikojnë për dekada. Sipas tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po e përdor luftën kundër Iranit për të avancuar projektin e “Izraelit të Madh”, një ide e së djathtës izraelite që synon zgjerimin e ndikimit dhe kontrollit izraelit në territore të tjera arabe.
Sheikh Hamad tha se Netanyahu prej viteve 1990 ka tentuar të bindë administratat amerikane për të hyrë në luftë me Iranin, për shkak të programit bërthamor iranian. Ai pretendoi se Netanyahu më në fund arriti të bindte Uashingtonin duke krijuar “iluzionin” se lufta do të ishte e shkurtër dhe regjimi iranian do të rrëzohej brenda pak javësh. Sipas tij, kjo strategji i ngjan përpjekjeve të dështuara amerikane për ndryshime regjimi në vende të tjera.
Ish-kryeministri kritikoi gjithashtu politikën amerikane të mbështetjes tek forca ushtarake, duke thënë se fuqia reale e SHBA-ve ka qenë gjithmonë aftësia për të shmangur luftërat dhe jo për t’i nisur ato. Ai shtoi se në fund të fundit të gjitha palët janë rikthyer në tryezën e negociatave dhe se disa javë shtesë bisedimesh diplomatike mund ta kishin shmangur konfliktin.
Një nga shqetësimet më të mëdha të ngritura prej tij ishte situata në Ngushticën e Hormuzit. Ai tha se Irani po e përdor këtë rrugë strategjike detare si armë politike dhe ekonomike, duke krijuar një kërcënim të madh për ekonominë botërore dhe eksportet energjetike të Gjirit Persik. Sipas tij, kjo është pasoja më e rrezikshme e luftës.
Sheikh Hamad kritikoi edhe sulmet iraniane ndaj infrastrukturës energjetike dhe civile në vendet e Gjirit Persik, duke thënë se shtetet arabe të Gjirit kishin kundërshtuar luftën, megjithatë po paguajnë çmim të madh ekonomik dhe të sigurisë. Megjithatë, ai theksoi se vendet e Gjirit dhe Irani janë të detyruar nga gjeografia të bashkëjetojnë dhe kërkoi dialog të drejtpërdrejtë dhe kolektiv me Teheranin.
Në intervistë ai propozoi edhe krijimin e një “NATO-je të Gjirit”, një aleancë të përbashkët politike dhe ushtarake mes vendeve arabe të Gjirit Persik, me Arabinë Saudite si shtyllë kryesore. Ai paralajmëroi se vendet e Gjirit nuk mund të mbështeten pafundësisht tek mbrojtja amerikane, pasi SHBA-të po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek Azia dhe rivaliteti me Kinën.
Duke folur për luftën në Gaza, Sheikh Hamad akuzoi Izraelin për katastrofë morale dhe politike, duke thënë se ekziston një plan për zbrazjen e konklavës nga palestinezët dhe transformimin e territorit në një projekt ekonomik e imobiliar. Ai deklaroi se nuk mund të ketë diskutim për çarmatimin e Hamasit pa garanci për krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Ai vlerësoi gjithashtu qëndrimin e Arabisë Saudite, që refuzon normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin pa një rrugë të qartë drejt shtetit palestinez, duke thënë se kjo ka prishur planet rajonale të Netanyahu-t.
