Më poshtë ju sjellim postimin e plotë të ish ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri:
Deklarata e fundit e Ministres së Arsimit dhe Shkencës, e cila pohon se nxënësit nuk kanë nevojë për libra në gjuhë të huaja pasi këto gjuhë mund t’i mësojnë nga serialet dhe televizori, është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe dëshmon për një mungesë të thellë të kuptimit të arsimit dhe rëndësisë së tij.
Të pohosh se gjuhët e huaja duhet të mësohen vetëm për të folur, pa u thelluar në gramatikë dhe strukturën e gjuhës, është një nënvlerësim i madh i rolit të arsimit formal.
Nxënësit që mësojnë gjuhët e huaja nga burime të paorganizuara si serialet dhe televizori janë të rrezikuar të marrin modele të gabuara, të mos kuptojnë plotësisht nuancat dhe kompleksitetin e gjuhës, dhe të mos jenë në gjendje të përdorin gjuhën në kontekste më formale dhe akademike.
Një sistem arsimor që nënvlerëson rëndësinë e librave dhe të mësimit të thellë të gjuhëve të huaja është një sistem që dëmton të ardhmen e nxënësve.