Nga koalicioni VLEN thonë se ka gjasa që të shtyhet afati që kishin ndaj partnerit të koalicionit VMRO-DPMNE, që ndryshimet kushtetuese të realizohen në 6 muajt e parë të bashkëqeverisjes së tyre, përcjell TV21. Fari Hiseni nga VLEN tha se problemi qëndron në Bullgari, respektivisht në pamundësinë që Sofja të krijojë qeveri stabile.

“Duke e marrë parasysh gjendjen në Republikën e Bullgarisë, vlerësoj se ka hapësirë këtu, sërish them në koordinim me faktorin ndërkombëtar, të prolongohet edhe afati”, tha Fari Hiseni, zëdhënës i VLEN.

Ndryshe, VLEN në programin e tyre thirret në Bashkimin Evropian dhe ndryshime kushtetuese ndërkaq partneri i tyre potencial, VMRO-DPMNE gjithë kohës thotë që mbetet në qëndrimin e tyre mos te ketë ndryshime “kushtetuese nën diktatin e shtetit të tretë”.

Arben Taravari, një nga krerët e VLEN-it para zgjedhjeve parlamentare, tha se mandatarit për formimin e Qeverisë duhet t’i kërkohet një dinamikë me afate për realizimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Nuk e them për 1 apo 3 muaj, por mos të jetë mbi 6 muaj. Kjo të kryhet, dhe të vazhdojnë negociatat me BE”, tha Taravari.

Ndryshe, me fitoren e VMRO-së, përkatësisht formimin e qeverisë së re, ka filluar edhe acarimi i raporteve midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Greqinë. Me Bullgarinë, për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja. Ndërsa tensionet me Greqinë nisën kur presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë betimit nuk përmendi emrin kushtetues të vendit, Maqedoni e Veriut, por e përmendi emrin e dikurshëm, Maqedoni.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.