Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti ka qëndruar sot në Kosovë, ku është pritur me filantropin Halil Kastrati.

Siç ka bërë të ditur Mexhiti, në këtë takim është biseduar edhe për ndërtimin e shkollës speciale “Idnina” në Çair.

“Në Kosovë ishim për ta takuar Halil Kastratin, sepse pa përkrahjen për ata që kanë më shumë nevojë, angazhimi ynë për qytetarët mbetet i paplotë.
Gjatë vizitës në shtëpinë e të moshuarve, u njohëm nga afër me punën e Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”. Me Halilin biseduam edhe për mundësitë e bashkëpunimit në një projekt me rëndësi të veçantë për Çairin, ndërtimin e shkollës për fëmijët me nevoja të veçanta, “Idnina – E ardhmja”.
Bëhet fjalë për një objekt rreth 2.000 m², me kapacitet për 200 fëmijë dhe investim të parashikuar rreth 2 milionë euro. Një shkollë që do të ofrojë hapësira të përshtatshme për mësim, terapi dhe zhvillim, sipas nevojave të fëmijëve.
Për ta çuar përpara këtë projekt, diskutuam se si mund t’i bashkojmë përpjekjet dhe përvojën e shoqatës me angazhimin e komunës. Familjet që e presin këtë shkollë kanë nevojë për mbështetje konkrete, ndërsa fëmijët për kushte ku mund të mësojnë, të zhvillohen dhe t’i shprehin aftësitë e tyre. Për këtë duam të punojmë bashkë”, shkruan Mexhiti.