Ministrat izraelitë të Mbrojtjes dhe Financave kanë njoftuar planet për ngritjen e tre vendbanimeve të paligjshme në Gaza, si dhe ndarjen e më shumë se 400 milionë dollarëve për zgjerimin e ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar. 

Me zgjedhjet e planifikuara për 27 tetor, koalicioni i ekstremit të djathtë i kryeministrit Benjamin Netanyahu po përshpejton përpjekjet për të zgjeruar kontrollin mbi tokat në Palestinën e pushtuar dhe për të dëbuar palestinezët nga pronat e tyre përpara se t’i përfundojë mandati, raportoi The Guardian. 

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se synon të krijojë tre vendposte “Nahal” në veri të Gazës. Këto janë komunitete ushtarake që, për dekada me radhë, kanë shërbyer si faza e parë për krijimin e vendbanimeve civile izraelite.

Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, njoftoi ndarjen e mbi 400 milionë dollarëve për dhjetëra vendbanime të reja izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar. Kabineti e kishte miratuar këtë fond muajin e kaluar, por vendimi ishte mbajtur sekret për shkak të kundërshtimit të pritshëm nga Shtetet e Bashkuara, raportuan mediat izraelite.

Gjeneralmajori Avi Bluth, komandanti i forcave izraelite në Bregun Perëndimor, u tha banorëve të disa posteve ekstremiste të kolonëve se “e vlerëson punën e tyre” dhe i konsideron ata partnerë të ushtrisë në çështjet e sigurisë.

Bluth, i cili është rritur vetë në një vendbanim izraelit në Bregun Perëndimor, foli të mërkurën në një takim të të ashtuquajturës Shoqata e Fermave, një organizatë që përfaqëson vendbanime të cilat konsiderohen të paligjshme edhe sipas ligjit izraelit.

Këto poste luajnë një rol kyç në fushatat e dhunës dhe terrorit që kanë detyruar palestinezët të largohen nga shtëpitë dhe tokat e tyre në të gjithë Bregun Perëndimor.

Dhjetëra figura të elitës politike dhe ushtarake izraelite, përfshirë dy ish-kryeministra dhe ish-drejtues të të gjitha shërbimeve të sigurisë së Izraelit, kanë kërcënuar se do të ndërmarrin veprime ligjore kundër qeverisë për mbështetjen që ajo u jep akteve të terrorizmit hebre në Bregun Perëndimor.

“Dhuna e kolonëve është dhunë shtetërore”, thuhet në një raport të ri të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Palestinë. Raporti përshkruan se si Izraeli ka përdorur kolonët për të udhëhequr përpjekjet për aneksim, ndërsa pandëshkueshmëria sistematike për autorët e dhunës ka bërë të mundur që kjo dhunë të përshkallëzohet pa pengesa.

Hagit Ofran, nga organizata izraelite e aktivistëve Peace Noë, ka thënë se buldozerët po punojnë aktualisht në të paktën shtatë vendbanime që pritet të popullohen përpara ditës së zgjedhjeve.

Katz i paraqiti planet e tij për vendbanimet në Gaza gjatë një vizite në zonat e territorit që kontrollohen nga Izraeli. Ai ka mbështetur gjithashtu idenë e spastrimit etnik të Gazës përmes emigrimit masiv të palestinezëve.

“Kam ndërmend të krijoj tre poste Nahal, të cilat janë gjithashtu entitete ushtarake, në ato vende ku dikur ndodheshin vendbanimet izraelite në veri të Gazës”, deklaroi ai për televizionin Channel 14.

Dror Etkes, themelues i organizatës Kerem Navot, e cila monitoron marrjen e tokave në Bregun Perëndimor të pushtuar, theksoi se postet Nahal nuk janë menduar të mbeten përgjithmonë objekte ushtarake.

“Prania ushtarake është vetëm faza e parë, e cila synon të përgatisë terrenin për vendbanime civile në të ardhmen. Dhjetëra vendbanime izraelite në Bregun Perëndimor janë krijuar pikërisht në këtë mënyrë”, theksoi ai.

Vendbanimet Nahal u krijuan fillimisht në vitet 1950 në zonat kufitare, përfshirë rreth Rripit të Gazës. Pas vitit 1967, i njëjti model u përdor edhe në Bregun Perëndimor të pushtuar, fillimisht përgjatë Luginës së Jordanit dhe më pas në zona të tjera.

Sipas zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Tamir Yadai, Izraeli tani kontrollon 65% të territorit të Gazës. Kjo shifër tejkalon ndjeshëm 53 përqindëshin që ishte parashikuar sipas armëpushimit të ndërmjetësuar vitin e kaluar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Rreth 2 milionë palestinezë që i mbijetuan luftës në Gaza janë të grumbulluar në një të tretën e territorit që ka mbetur jashtë kontrollit izraelit.

“Nuk di si ta përshkruaj këtë ndryshe, përveçse si fitore, kur kontrollon 65% të territorit dhe kur ke vrarë mbi 70 mijë terroristë këtu”, deklaroi Yadai.

Shifrat e paraqitura prej tij duket se i klasifikojnë si “terroristë” edhe 21 mijë fëmijë palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite, përfshirë më shumë se 1 mijë foshnja që nuk arritën të mbushnin vitin e parë të jetës./Koha.net