Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke dëshmuar ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte. Ai nënvizoi se UÇK-ja nuk kishte hierarki dhe se fuqinë reale të saj e kishin komandantët e zonave. “Kjo ishte vështirësia me të cilën përballeshim atje”, tha Duncan, sepse “nuk kishin strukturë hierarkike – ishin të organizuar ndryshe”. Sipas tij, udhëheqja politike e UÇK-s, përfshirë edhe Thaçin, shpesh nuk ishte në gjendje t’i bindte ushtarët për vendime të rëndësishme, siç ishte çarmatosja. Ai tha se roli i Thaçit nuk pasqyronte realitetin politik dhe se nuk kishte legjitimitet të plotë në shoqëri. Mbrojtja e Thaçit dhe e ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte, ka thirrur gjithsej 11 dëshmitarë, të cilët do të paraqiten gjatë javëve në vazhdim. Dëshmia e mbrojtjes nisi javën e kaluar me ish-ndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe këshilltarin ligjor të delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams. /Alsat.mk

 

 

 

The post John Stewart Duncan: UÇK-ja nuk kishte hierarki dhe se fuqinë reale të saj e kishin komandantët e zonave appeared first on Alsat.