Kamera në çdo semafor, udhëkryq… Janë në formë dhe madhësi të ndryshme, ndërsa dallohen dhe sipas ngjyrës. Qëllimi i tyre gjithashtu është i ndryshëm. Kamerat janë vendosur në kuadër të projektit “Safe city”, që ka filluar nga viti 2012 kur ministre për punë të brendshme ishte Gordana Jankulloska. Edhe pse kanë kaluar pothuajse 13 vjet, megjithatë ky projekt ende nuk është përfunduar.

“Mundem lirshëm të them se me vendosjen e kamerave në këto katër vjet krimi në Kavadar ka rënë në mënyrë drastike, diku 40% ka rënie të kryerjes së veprave penale”, theksoi Mitko Jançev, kryetar i Kavadarit.

“Atë që e pamë sot në Kavadar, që do të jetë si “Safe city” i integruar në korniza të një projekti më të madh në të cilin po punon MPB-ja. Mbështetja e Qeverisë është e palëkundshme dhe e qartë dhe vazhdojmë në këtë drejtim. Patjetër të ketë disiplinë, të ketë rend dhe të ketë sundim të ligjev e”, pohoi Hristijan Mickoski, krymeinistër.

Kamerat e bardha funksionojnë një kohë të gjatë. Ato përdoren nga MPB, por edhe nga Prokuroria për zbardhjen e rasteve të ndryshme kriminale. Kohët e fundit janë vendosur kamera që kanë formë dhe ngjyrë ndryshe. Ato do të përdoren për të “gjuajtur” shkeljet e trafikut. Edhe pse këto kamera janë pjesë e projektit “Qyteti i sigurt”, askush nuk mund të thotë se kur do të fillojë të funksionojë i gjithë sistemi, edhe pse qëllimi i tyre dihet.

“Këto kamera duhet konkretisht të identifikojnë në mënyrë specifike një shkelje në tre segmente. Segmenti i parë është parkimi i gabuar, flas në qytetet ku do të vendosen, nën dy është hyrja në semafor në të kuqe dhe e treta është shpejtësia e palejuar. Këto tre segmente janë një nga shkeljet më të mëdha të rregulloreve ligjore që kanë të bëjnë me frekuencën gjatë një viti dhe disa prej tyre, sidomos kalimi në të kuqe dhe shpejtësia e lartë, janë shkaktarë të pasojave më të rënda”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministri i Punëve të Brendshme (20.09.2024).

Por pse nuk janë vënë ende në përdorim kamerat që do të kapin shkeljet në trafik? Toshkovski thotë se aktualisht po punohet në zgjidhje teknike dhe ligjore. Sipas tij, që nga fillimi i projektit askush nuk ka menduar se si të vihet në funksion i gjithë sistemi. Sa gjoba do të prodhojë në ditë, a do të mund të procedohen nga punonjësit e MPB-së, si do të procedohen, kush do ta drejtojë procedurën, nëse numri i punonjësve në MPB duhet të rritet për shqiptimin e kundërvajtjeve, a do të shkojnë ato dënime në gjykatë dhe kush do t’i procedojë ato çështje në gjykatë. Kur do të vihen në përdorim kamerat, askush nuk e di, madje as ministri Toshkovski. Me këto kamera pritet që të ngrihet kultura e komunikacionit tek vozitësit, me çka do të zvogëlohet numri i aksidenteve, të cilat shpeshherë përfundojnë me pasoja fatale.