Presidenti amerikan Donald Tramp dhe Kancelari gjerman Merc kanë realizuar bisedë telefonike, ku në fokus kishin situatën në lindjen e mesme dhe samitin e NATO. Merz theksoi se të dy palët ndajnë qëndrime të përbashkëta për disa prej çështjeve më të ndjeshme ndërkombëtare, duke nisur nga programi bërthamor iranian dhe siguria në Ngushticën e Hormuzit, deri te nevoja për një zgjidhje diplomatike të luftës në Ukrainë.
“Pata një telefonatë të mirë me Donald Trump gjatë udhëtimit të tij të kthimit nga Kina. Ne biem dakord: Irani duhet të ulet në tryezën e negociatave; duhet të hapë Ngushticën e Hormuzit; Teherani nuk duhet të ketë armë bërthamore. Po ashtu diskutuam për një zgjidhje paqësore për Ukrainën dhe koordinuam qëndrimet tona përpara samitit të NATO-s në Ankara. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania mbeten partnerë të fortë në një NATO të fortë”, shkroi kancelari gjerman.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar dhe frika për përshkallëzim në Ngushticën e Hormuzit konsiderohet një nga rreziqet më të mëdha për tregjet globale të energjisë dhe sigurinë ndërkombëtare.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha në një intervistë për FOX news se Irani ka qenë pranë arritjes së një marrëveshjeje të plotë me SHBA-në “katër apo pesë herë”, por, sipas tij, është tërhequr vazhdimisht në çastin e fundit.
“Sa herë që pajtohen, të nesërmen bëhen sikur nuk kemi folur fare. Kjo ka ndodhur katër ose pesë herë. Ka diçka që nuk shkon me ta. Sinqerisht, janë të çmendur. Dhe, për shkak se janë të çmendur, nuk mund të kenë armë bërthamore”, tha Donald Tramp, President i SHBA-së.
Trump gjithashtu tha se Irani kishte pranuar më herët t’ia dorëzonte Shteteve të Bashkuara rezervat e uraniumit të pasuruar gjatë bisedimeve mes dy vendeve. Trump bëri komente të ngjashme edhe para gazetarëve para vizitës në Kinë, duke thënë se Irani moment kishte pranuar ta dorëzonte materialin e pasuruar bërthamor si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë. Zyrtarët iranianë, përfshirë ministrin e Jashtëm Abbas Araqchi, e kanë mohuar se kanë pranuar kushtet e SHBA-së./Alsat.mk.
The post Kancelari gjerman Merz ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-ve Trump appeared first on Alsat.
