Në vitin 2023, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, prezantoi projektin për ndërtimin e kolektorit dhe filtrave për ujërat e zeza, që parashihte mbulimin e disa fshatrave të komunës. Megjithatë, tenderi për këtë projekt është anuluar disa herë dhe punimet nuk kanë nisur ende. I pyetur sot për këtë çështje, Kasami tha se është përzgjedhur operatori dhe se pas përfundimit të procedurave të ankimimit pritet të nënshkruhet kontrata dhe të fillojnë punimet gjatë verës.
“Sa i përket projektit për kolektorin e ujërave të zeza, bashkë me filter-stacionin, është përzgjedhur operatori edhe për realizimin e punëve të kolektorit kryesor, edhe të filter-stacionit. Janë procedurat e ankimimit, pra që zgjasin në këtë periudhë, dhe të cilat nga përmbyllja e të cilave do të nënshkruhet edhe kontrata dhe do të jepet urdhëresa operatorit që të dalë në terren. Pra, për të informuar opinionin: operatori është përzgjedhur edhe për kolektorin, edhe për filter-stacionin”, tha Bilall Kasami.
Sipas Kasamit punimet në terren do të nisin gjatë verës.
“Si të përfundojnë procedurat e ankimimit, do të nisin punët në terren. Dhe unë besoj që brenda kësaj vere do të nisin punët”, deklaroi Kasami.
Sipas Kasamit, projekti është iniciuar që në vitin 2024, por në atë periudhë ka qenë i lënë pas dore nga udhëheqësia e kaluar. Ai theksoi se, në koordinim me përfaqësues të Delegacionit Evropian, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekologjisë, është kërkuar përmbyllja e procesit të shpronësimit në zonat ku kalon kolektori. Sipas tij, në Ministrinë e Financave, përkatësisht në Drejtorinë për çështje pronësore-juridike, janë dorëzuar rreth 1.400 lëndë për shpronësim në një afat të shkurtër. Megjithatë, pavarësisht parashikimeve fillestare që punimet të nisnin gjatë vitit 2024, tenderi është anuluar disa herë, duke shkaktuar vonesa në realizimin e projektit.
