Gazetare: Ajnur Bafqari

E Majta ka paralajmëruar iniciativë për takim mes partive opozitare nga dita e hënë me qëllim gjetjen e zgjidhjes për Kodin Zgjedhorë. E hëna është më 13 korrik, ndërsa afati përfundimtar për sjelljen e Kodit Zgjedhor, që nënkupton përmbushjen e të gjitha 10 detyrave të Axhendës Reformuese është 15 korriku. Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, bën thirrje që të mos politizohet kjo çështje dhe të gjendet zgjidhje para përfundimit të këtij afati.
“ Nuk kemi problem me një njësi zgjedhore, as me financimin, duan më shumë para, do të marrin më shumë para, duan në mënyrë tjetër të administrohen ankesat edhe atë do ta pranojmë, derisa të mundemi të ta përmirësojmë modelin që të mundet diaspora të prononcohet. Me ne nuk kanë asnjë problem për tezat që i thonë në opinion“- thekson Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.

Por LSDM nuk lëviz nga qëndrimi. Ata përsërisin se votimi elektronik ose me postë lë hapësirë për manipulime dhe vjedhje masive të votave, ndërsa thonë se të drejtin për votim, diaspora e ka edhe me kodin aktual.


“Diaspora ka të drejtë të votojë. Atë të drejtë e ka pasur edhe deri më tani dhe voton sipas modelit ekzistues. Ne nuk jemi kundër asaj të drejte, por jemi kundër votimit të pakontrolluar që hap mundësi për vjedhje masive zgj edhore”-

deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Një ditë më parë koordinatori i grupit parlamentar i Të majtës, Borisllav Kërmov, paralajmëroi se të hënën zyrtarisht do t’i ftojë partitë opozitare në takim me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje. Kujtojmë se pushteti para disa ditësh i ofroi mundësi opozitës të harmonizojnë qëndrimet dhe se pushteti do të pranojë gjithçka që kërkojnë ato, me kushtin e vetëm votimin e diasporës online ose me postë. VLEN ka theksuar rëndësinë që diaspora të ketë mundësi të votojë, qoftë përmes votimit elektronik qoftë përmes postës. BDI këmbëngul që votimi i diasporës të bëhet vetëm në mënyrë elektronike. Lidhja për Shqiptarët e Ziadin Selës, kërkon që votimi të bëhet në cilëndo formë por të mos vlejë vetëm për zgjedhjet presidenciale, por edhe për parlamentaret dhe lokalet./Alsat.mk

The post Kodi Zgjedhor/ Afatet rrjedhin, partitë larg zgjidhjes appeared first on Alsat.