Konvikti studentor “Stiv Naumov” në Shkup është rikonstruktuar dhe sot është vënë në përdorim, me kapacitet për 1.150 studentë. Objekti është rinovuar për të përmirësuar kushtet e banimit dhe për të përmbushur standardet evropiane, ndërsa një pjesë e konviktit tashmë është mbushur me studentë.
Projekti është realizuar me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim KfW dhe Bashkimit Evropian, ndërsa ndërhyrjet përfshijnë edhe përmirësimin e efikasitetit energjetik të objektit.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, konvikti ishte ndërtuar në faza, një pjesë në vitin 1964, ndërsa pjesa tjetër në vitet ’90, dhe para rinovimit kishte probleme me izolimin, lagështinë, furnizimin me ujë të ngrohtë dhe kushtet e përgjithshme të banimit.
Në kuadër të të njëjtit investim, së shpejti pritet të vihet në përdorim edhe konvikti “Kuzman Josifovski – Pitu” në Shkup, me kapacitet prej 280 shtretërish.
Investimi është pjesë e një projekti më të gjerë që përfshin 9 konvikte studentore dhe 6 shkolla me qendra burimore, me vlerë totale prej 86 milionë eurosh. Nga kjo shumë, 60 milionë euro janë kredi nga KfW, 22 milionë euro janë grant dhe 4 milionë euro janë mjete nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Rinovimi i objekteve synon edhe rritjen e efikasitetit energjetik dhe uljen e emetimeve të CO₂, ndërsa projekti është realizuar në bashkëpunim mes institucioneve të Maqedonisë së Veriut, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian.
“Pjesërisht është plotësuar dhe studentët që janë këtu, tanimë nuk duhet të shqetësohen nëse u pikon ujë nga tavani, në kanë ujë të ngrohtë, as nëse është nxehtë apo ftohtë, as nëse ka lagështi nëpër mure. Besoj se tani mund të përkushtohen vetëm në mësim”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
“Investimi është investim i gjelbër. Do të ndihmojë thellësisht në emetimet e dyoksidit të karbonit, pra është po ashtu një investim i së ardhmes mjedisore. Është po ashtu ditë e bukur sepse çdo investim për të rinjtë, është investim për të ardhmen tonë”, deklaroi Mihalis Rrokas, Ambasador i BE-së në Shkup.
