Kosova dërgoi notë proteste deri te autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkak të incidentit që ndodhi në aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ku u përfshi edhe sigurimi i kryeparlamentarit Afrim Gashi. Në notën, ministrja Donika Gërvalla, dërgoi kërkesë që Maqedonia urgjentisht dhe plotësisht të prononcohet për këto raste.

‘Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, sqaruan nga MPJ së Kosovës.

Ministrja Gërvalla, ka pasur edhe bisedë telefonike me ministrin për punë të jashtme, Timço Mucunski, i cili ka shprehur keqardhje për keqkuptimin gjatë udhëtimit të presidentes Osmani.

“Theksojmë se nga ana e MPTJ e Maqedonisë së Veriut në lidhje me këtë ngjarje tashmë janë mbledhur informacione nga të gjithë institucionet kompetente. Pasi që të bëhet analizë adekuate e të dhënave të grumbulluara në bashkëpunim me MPB-në do të ndërmerren të gjithë aktivitetet dhe masat e nevojshme me qëllim kryesor që në të ardhmen të shmangen situatat e tilla”, sqaruan nga MPJ së Maqedonisë.

Përndryshe Gërvalla menjëherë pas kësaj ngjarje në aeroportin e Shkupit është takuar edhe me ambasadoren e Maqedonisë në Kosovë, si dhe me zv.kryeministrin për qeverisje të mirë, Arben Fetai i cili ka qenë në Prishtinë.

“E informova Ministren Gërvalla se institucionet tona janë duke i kryer hetimet e nevojshme dhe se do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje që do të mund të konstatohet nga incizimet e kamerave të aeroportit. I dëgjova shqetësimet e Ministres, e cila më njoftoi se sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës ka patur në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve nga ana e personelit të sigurisë të angazhuar nga kompania në fjalë”, tha Arben Fetai, zv.kryeministër i RMV-së.
Për rastin në aeroportin e Shkupit, reagoi edhe Presidenca e Republikës së Kosovës, ku shprehën revoltë për qëndrimin e MPB-së së Maqedonisë, por edhe siç thonë, propagandën që zhvillohet kundër Republikës së Kosovës në disa media maqedonase për incidentin me Presidenten Osmani.