Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sonte për të konstituuar legjislaturën e re. Seanca konstituive pritet të nisë në orën 20:00 ose 21:00, ku Lëvizja Vetëvendosje do të propozojë emrin për kryetar kuvendi. Aktualisht në takim janë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të cilët po tentojnë të arrijnë një marrëveshje për çështjen e presidentit. Para takimit, Abdixhiku tha se konstituimi i kuvendit duhet të ndodhë sot dhe se partia e tij nuk nënshtrohet.
“Duhet të ketë seancë konstituive. Duhet të votohet kryetari i Kuvendit dhe Kryesia e Kuvendit. LDK-ja as ka kërkuar, as kërkon që të bëhet ose të ketë vonesa të tilla…. Por tani, kjo është përgjegjësi edhe e partisë së parë, e cila qëllon që ka më të vjetrin në seancë aty, të ulur në karrigen e kryesuesit të Kuvendit. Por në qoftë se është bërë për taktikë negociuese, le ta themi shumë qartë: LDK-ja nuk nënshtrohet e Republika nuk dorëzohet.” – Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së.
Ndërkohë, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se do të ketë lajme sapo të arrihet marrëveshja.
“Kur të kemi marrëveshje politike, nga ana ime do të keni edhe material për lajme. Takimet me LDK-në nuk janë lajm. Janë përpjekje normale për t’i konstituar institucionet e Legjislaturës së XI-të.” – Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes.
Një ditë më parë, pasi deputetët bënë betimin, Kurti kërkoi shtyrjen e seancës konstituive, duke kërkuar kohë shtesë për një marrëveshje politike që do të jepte zgjidhje për çështjen e presidentit. LDK-ja së fundmi ka bërë publik synimin se e dëshiron postin e presidentit, ndërsa Kurti ka insistuar se presidenti i ri duhet të jetë një figurë konsensuale dhe jopartiake.
Dy partitë e tjera, Partia Demokratike dhe Aleanca, nuk kanë pranuar të hyjnë në negociata me Kurtin, duke deklaruar se duan të mbeten në opozitë. Nëse partitë nuk arrijnë një marrëveshje për krijimin e institucioneve, vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, të katërtat në gati dy vjet.
The post Kosova në prag të konstituimit, Kurti dhe Abdixhiku negociojnë për presidentin appeared first on Alsat.
