Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, sonte në emisionin Click Plus në TV21 komentoi edhe deklaratën e Arbër Ademit nga BDI i cili në Click Plus tha se Gjykata ka përgatitur një referat me të cilin Ligji për Përdorimin e Gjuhëve vlerësohet si antikushtetues.
Kostadinovski tha se nuk e ka ndjekur deklaratën, por nëse një pretendim i tillë është bërë vërtet, atëherë bëhet fjalë për “gënjeshtër të rëndë dhe manipulim të rëndë”.
“Askush kurrë nuk ka thënë se ligji është antikushtetues. Ndoshta dispozita të caktuara ligjore janë problematike nga aspekti kushtetues, por më pengon shumë kur paragjykohen gjërat”, deklaroi Kostadinovski.
Ai akuzoi se politikanët shumë lehtë përdorin tema të ndjeshme për qëllime politike dhe mobilizim të votuesve, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike.
“Nuk e di nga e ka referatin, por nuk bëhet fjalë për kurrfarë ‘masakrimi’ të gjuhës shqipe. Askush nuk do ta prekë gjuhën shqipe. Gjuha shqipe është kategori kushtetuese, ashtu siç është e rregulluar me Kushtetutë”, theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Kostadinovski shtoi se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është miratuar me qëllim të operacionalizimit shtesë të përdorimit të gjuhëve dhe se me të zgjerohet zbatimi në më shumë fusha.
