Thonë që urrejtja më e madhe kthehet në dashuri më të fortë. Në këtë drejtim e çuan ndjenjat politike Fatmir Limanin. Njeriu që i hapi karshillëk Ali Ahmetit në Kërçovë, duke nisur fushatë të fortë kundër tij, familjes, njerëzve dhe pasurisë së përfituar sipas të cilit duhet futur në skrining dhe të vërtetohet se si e ka bërë, u kthyen në mbështesin e dajës së tij, pasi siç pretendonte edhe vetë ai, para vitit 2001 Ali Ahmeti njihej si daja i Fatmir Limanit. Limani që nga BDI iu bashkua Lëvizjes Besa duke u pozicionuar si nënkryetar, fotografonte shtëpitë e Ali Ahmetit dhe vilat e tij, duke kërkuar që në gjithçka që posedon familja Ahmeti duhet të futet në vetting. Madje në vitin 2022 drejtoi akuza të rënda, duke thënë se nuk e ndjen as si familjarë më.

“Asnjëherë në jetë. Për një arsye. Sikur të më luftonin si subjekt BDI, sot do të isha BDI. Më kanë luftuar me LSDM-në, subjekt i cili më ka vra babën. Kështu që i bie se ata janë hartues dhe planifikues të vrasjes së babait tim bashkë me LSDM-në. Fundja nuk i ndjej as si familjarë më,” kishte deklaruar Fatmir Limani, 06 gusht 2022.

Pas kandidaturës së pavarur në Kërçovë, Limani iu bashkua Lëvizjes Besa duke u pozicionuar si figura kryesore e këtij subjekti në qytetin e tij. Në fushata zgjedhore ishte frontmeni që drejtonte akuzat më të mëdha kundër ish bashkëpartiakëve. Në vitin 2024 si kuadër i Lëvizjes Besa u bë ministër, ndërsa vetëm një vit më vonë, nisi fushatën kundër VLEN-it, duke filluar takimet dhe rreshtimet me Ali Ahmetin në emër të interesave të shqiptarëve. Rrebelimi i tij ndonëse filloi të shfaqet, Limani nuk mungonte nëpër mbledhjet partiake. Pas këtij veprimi, nisi takimet edhe më të shpeshta me Ali Ahmetin, madje duke e shoqëruar edhe në Tiranë dhe vizitat tjera. Pavarësisht se ishte parë si pakuptimtë për faktin se akuzonte Ahmetin rëndë, Limani zgjodhi që iftarin ta hap me dajën e tij dhe me Arben Taravarin të kryeministri Edi Rama. Pas këtyre takimeve, Limani deklaroi se peshon 15 deputet, duke mos e qartësuar asnjëherë këtë qëndrim. Kur brenda VLEN që është në formim e sipër si një subjekt nisi të përflitej qëndrimi se Limani nuk do të jetë më ministër, ky i fundit e tha me gojën e vetë: “Nuk jam ministër i VLEN-it”. VLEN ka marrë tashmë qëndrimin se Limani nuk do të propozohet për ministër, ndërsa sot përfundimisht, kryeministri Hristijan Mickoski ia hodhi çelësat në det. I pyetur nëse Limani do të jetë akoma ministër, Mickoski tha:

“Për atë duhet ta pyesni udhëheqësinë e VLEN si subjekt që edhe më tej do të jetë pjesë e Qeverisë si partner strategjik i Qeverisë. Këtë pyetje drejtojeni atje,” tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.