Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit do të garojë në një listë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka njoftuar se i është bashkuar në listën e saj psikologia Arjeta Musliu.

Me anë të një postimi në Facebook, Osmani tha se sa ishte presidente e kishte dekoruar me Urdhërin Presidencial “Shotë Galica”, shkruan Arbresh.info.
Musliu është edhe themeluese e qendrës “Ri-Jeta” e cila ndihmon ata të cilët bëhen të varuar nga lëndët narkotike, qendër të cilën e kishte themeluar pasi djali i saj kishte humbur jetën për shkak të kësaj varësie.

“Me një plagë që shumëkush nuk e sheh, por që ajo e ka kthyer në forcë. Në vend që ta thyejë, ajo e ka shndërruar në mision për të shpëtuar jetë, për t’u dhënë zë familjeve që luftojnë në heshtje, për t’u rikthyer shpresën atyre që e kanë humbur. Kjo është Arjeta Musliu. Një grua që nuk vjen në këtë rrugëtim për veten e saj, por për çdo nënë që zgjohet çdo ditë me frikën për fëmijën, për çdo motër e vëlla që nuk pranon të dorëzohet, për çdo familje që ka përjetuar dhimbjen e varësisë nga substancat narkotike, për çdo të ri që ka nevojë për një dorë që e nxjerr nga errësira”, ka shkruar mes tjerash ish-presidentja Osmani.