Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, vlerësoi se Kuvendi ende nuk e ka plotësuar zbrazëtinë juridike në Kodin Zgjedhor, edhe pse Gjykata Kushtetuese tashmë kishte reaguar ndaj ndryshimeve kontestuese ligjore që kanë të bëjnë me kandidatët e pavarur.

Në emisionin Click Plus në TV21, Kostadinovski deklaroi se bëhet fjalë për një problem serioz që është pjesë edhe e agjendës reformuese të lidhur me Bashkimin Evropian.

“Kemi një problem serioz rreth Kodit Zgjedhor, i cili është pjesë e agjendës së BE-së dhe që duhet ta përmbushim deri në qershor, por assesi nuk po arrijmë ta realizojmë”, tha Kostadinovski.

Ai shpjegoi se thelbi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka qenë mbrojtja e pluralizmit politik, pasi gjatë procesit zgjedhor ishte bërë përpjekje për të vendosur prag për kandidatët e pavarur.

“Thelbi i vendimit tonë ishte se ai ligj e cenon edhe kushtetutshmërinë formale. Në një mënyrë ‘kontrabanduese’ u fut një zgjidhje ligjore që ishte në interes të partive të mëdha, me qëllim që partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur të mos mund të marrin pjesë nga ‘kulaçi zgjedhor’. Kjo është shkelje e rëndë e pluralizmit politik, ndërsa ai është vlerë themelore e rendit tonë kushtetues”, deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Kostadinovski theksoi se pluralizmi politik nuk përfundon me ditën e zgjedhjeve, por vazhdon edhe në punën e parlamentit.

“Qytetarët presin që ata për të cilët kanë votuar t’i përfaqësojnë interesat e tyre në parlament. Që kjo të ndodhë, duhet të ketë procedurë normale, mundësi për amendamente, diskutim dhe ndikim mbi cilësinë e ligjeve. E gjithë kjo u është mohuar”, tha ai.

Sipas tij, ligjvënësi ka mbetur “i padisiplinuar nga aspekti kushtetues”, pasi nuk i ka harmonizuar zgjidhjet ligjore pas vendimit të Gjykatës.

“Kur e morëm vendimin, atëherë nuk i dhamë afat Kuvendit, por lamë në fuqi një normë që të mos i pengonim kandidatët e pavarur të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Nuk i shfuqizuam as udhëzimet e KSHZ-së, ku mundësohej që dikush të kandidojë me dy nënshkrime, pikërisht për ta siguruar pluralizmin politik”, theksoi Kostadinovski.

Ai porositi se mbetet obligim i ligjvënësit që të sjellë zgjidhje në interes të qytetarëve, e jo të interesave partiake.