Një krizë e rëndë bankare ka tronditur Paraguain, duke shkaktuar pasoja të mëdha financiare dhe politike. Presidenti i vendit, Santiago Peña, ka dhënë dorëheqje pas kolapsit të bankës digjitale Ueno Bank, e cila u la rreth tre milionë klientë pa qasje në llogaritë dhe kursimet e tyre.
Kriza nisi më 3 nëntor, kur Banka Qendrore e Paraguait vendosi të ndërhyjë në Ueno Bank dhe të nisë procedurën e likuidimit të saj. Vendimi erdhi pasi autoritetet konstatuan se treguesi i aftësisë paguese të bankës kishte rënë nën 50 për qind të nivelit minimal të kërkuar.
Mbyllja e shërbimeve bankare shkaktoi panik në mesin e klientëve, të cilët u mblodhën para degëve të bankës në kryeqytetin Asuncion dhe qytete të tjera, duke kërkuar qasje në paratë e tyre. Aplikacioni, kartelat dhe transfertat bankare u bënë të paarritshme.
Situata u përshkallëzua edhe më shumë pasi u bë e ditur se banka administronte rreth 850 milionë dollarë fonde publike, përfshirë mjete të lidhura me institucionet e sigurimeve pensionale dhe shëndetësore.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë ndaluar tetë drejtues të lartë të bankës, përfshirë themeluesin dhe drejtorë të saj. Ndërkohë, edhe guvernatori i Bankës Qendrore, Carlos Carvallo, dha dorëheqje me kërkesë të presidentit Peña.
Kriza mori përmasa politike pasi opozita nisi procedurat për shkarkimin e presidentit, duke e akuzuar për konflikt interesi dhe keqmenaxhim të fondeve publike. Peña kishte pasur më herët lidhje biznesore me grupin që zotëronte bankën.
Nën presionin politik dhe publik, Peña njoftoi dorëheqjen më 5 nëntor. Pak minuta më vonë, Dhoma e Ulët e Parlamentit votoi njëzëri, 78 vota për dhe asnjë kundër, për shkarkimin e tij, duke ia kaluar çështjen Senatit.
Ndërkohë, Banka Qendrore ka njoftuar nisjen e pagesave të para për depozituesit, përmes Fondit të Garancisë së Depozitave. Në fazën e parë do të përfitojnë klientët që kanë deri në 10 milionë guarani në depozita, nuk kanë borxhe ndaj bankës dhe kanë llogari aktive në institucione të tjera financiare.
Autoritetet kanë bërë të ditur se procedura do të vazhdojë në faza, ndërsa synimi është mbrojtja e depozituesve dhe rikuperimi i mjeteve financiare.
Kriza e Ueno Bank konsiderohet një nga goditjet më të rënda financiare dhe institucionale për Paraguain në vitet e fundit.
