Punonjësit e kulturës, të organizuar nga Sindikata e Kulturës e Maqedonisë, protestuan para Ministrisë së Kulturës, duke kërkuar respektimin e Marrëveshjes Kolektive dhe dinjitetin e profesionit të tyre.
Me pankarta “Kthejeni Marrëveshjen menjëherë” dhe “Kultura nuk shfuqizohet”, ata shprehën pakënaqësi për, siç thonë, cenimin e të drejtave të tyre.
Protesta vjen pas takimit të pasuksesshëm mes Sindikatës dhe Ministrisë, pas të cilit nuk u arrit marrëveshje, ndërsa nga Ministria u bë e ditur se dialogu do të vazhdojë me dinamikë më intensive në periudhën në vijim.
Nga Sindikata theksuan se reagimi vjen pas vendimit të Gjykata Kushtetuese për nisjen e procedurës për shfuqizimin e Marrëveshjes Kolektive, si dhe për shkak të, sipas tyre, shkeljeve në mënyrën e llogaritjes së pagave dhe mosrespektimit të të drejtave të dakorduara të punonjësve të kulturës.
“Në themi se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të jetë mjet për revanshizëm, nuk duhet të jetë mjet për ndëshkimin e atyre që janë të zëshëm, që kërkojnë atë që ekziston. Por kjo nuk është çështje mëshire, kjo është çështje të drejtash. Kemi dorëzuar 800 padi, sepse na u mbyllën dyert për dialog, sepse ministri vendimet i merrte vetë, me ekspertët e tij, pa sindikatat”, tha Verica Atanasovska.
“Problemet në kulturë nisin nga kjo ndërtesë, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese vetëm se e derdhi kupën! 30 vjet të gjitha problemet janë prej këtu, pa dallim kush është ministër”, tha Goce Pavlovski!
“Nëse bëhemi bashkë as pushteti nuk mund t’u bëjë asgjë, por kur ndahemi, jemi të vetëm”, tha Diu Rashiti
“Ky shtet që ka aq harxhime joproduktive, që hedh për gjithçka, prap i bie, e rreh dhe e vret Marrëveshjen Kolektive! Po mirë, me të vërtetë, a nuk është boll më?! A ka kuptim më!? U imponua një narrativ se ne në kulturë kemi paga të mëdha, ndërkohë që këtë narrativ e imponuan ata që marrin paga 10 herë më të larta se ne”, deklaroi Sanja Arsovska
Ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, duke folur në Click Plus u shpreh optimist për zgjidhje me dialog dhe bisedime. Marrëveshjen kolektive të 2020-tës e quajti të mirë, por tha se tashmë ka kaluar një kohë dhe teksti has në pengesa sepse nuk përputhet me Strategjinë kombëtare ose ligjin për kulturë. Për këtë arsye, tha se Ministria ka kërkuar që para se të nisin të punojnë për Strategjinë kombëtare 2026 dhe për zgjidhje të reja ligjore, të ulen me sindikatat dhe të flasin.
“Ajo që unë e kërkova është që përderisa jemi në proces gjyqësor dhe nuk jemi marrë vesh për përllogaritjen e pagave, gjë për të cilën unë mendoj se është absolutisht e saktë, atëherë të vazhdojmë të punojmë për pjesët tjera të Marrëveshjes kolektive dhe t’ua shpjegojmë Strategjitë; dhe planet tona për të ardhmen, sepse ne i trajtojmë sindikatat si partner social. Por këtu nuk gjetëm mirëkuptim, erdhëm në një përfundim ku thonë se deri sa nuk zgjidhet sistemi me pagat, nuk kemi çfarë të flasim më tej”, u shpreh Zoran Lutkov.
Protesta u mbështet edhe nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Kryetari i LSM-së Sllobodan Trendafillov tha se nuk bëhet fjalë vetëm për Marrëveshjen Kolektive të Kulturës, por për të gjitha marrëveshjet kolektive në të cilat është përcaktuar mënyra dhe metodologjia e llogaritjes së pagës, pavarësisht nëse bëhet fjalë për pagën mesatare apo minimale sipas koeficientit të kompleksitetit.
