Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka reaguar ndaj kritikave për vendimin e Qeverisë në detyrë për të ndarë shtesa prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët në prag të zgjedhjeve, duke theksuar se kjo praktikë është e zakonshme dhe nuk përbën asgjë të re prej që ka ardhur në ekzekutiv.
Ai ka thënë se çdo herë para festave i gëzojnë të moshuarit dhe fëmijët.
“A kanë qenë ato shtesa edhe vitin e kaluar? A kanë qenë edhe para vitit të kaluar? Çdo herë para Vitit të Ri, kur kemi dimër e kemi festa, ne i gëzojmë të moshuarit dhe fëmijët. Nuk ka asgjë të re në këtë aspekt. E re është qeverisja jonë, e cila do të vazhdojë edhe mandatin e tretë”, ka deklaruar Kurti gjatë një vizite në stadiumin e futbollit në Shtime të enjten.
