Natën mes të enjtes dhe të premtes, kontrolli i brendshëm i NQP-së ka kapur punonjës të kësaj ndërmarrjeje publike duke vjedhur një sasi të konsiderueshme nafte nga garazhet në Gjorçe Petrov. Këta punonjës do të largohen menjëherë nga vendet e tyre të punës, ndërsa kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili publikoi fotografitë, pret që Prokuroria të hapë procedurë. Por, ky nuk është rasti i vetëm kur dikush ka përfituar nga nafta e Ndërmarrjes Publike të Qarkullimit. Gjorgjievski pretendon se këtë vit NQP ka kursyer rreth gjysmë milioni euro për karburant, ndonëse në rrugët e qytetit qarkullojnë më shumë autobusë sesa në vitet e mëparshme.
-Nuk mundet që të kemi shumë më tepër automjete të përfshira në qarkullim, me shpenzime shumë më të mëdha, ndërsa ne të kemi kursime prej gjysmë milioni eurosh. Pikërisht këtu duhet që organet hetuese të përcaktojnë se kujt i atribuohet e gjithë kjo. Ky është supozimi im…
-Këtë desha t’ju pyes, a është ky një supozim apo tashmë keni informacione se atje vërtet është bërë keqpërdorim, ose të jemi të drejtpërdrejtë, është kryer krim?
-Nuk shoh dëshmi më të madhe se diçka devijante ka ndodhur atje sesa fakti që, me një numër më të madh automjetesh, kemi kursime enorme krahasuar me vitin e kaluar ose para dy vitesh. Unë nuk shoh dëshmi më të madhe se kjo.
Kryetari i Shkupit thotë se kjo është detyrë e institucioneve kompetente, siç është Prokuroria, që të hapë lëndë dhe t’i hetojë plotësisht gjendjet. Gjendja në këtë ndërmarrje publike ende nuk është e shkëlqyeshme, por, siç thotë ai, gradualisht po i vendosin gjërat në baza të shëndosha. Ai pranon se shërbimi për qytetarët për momentin nuk është në nivelin e duhur.
“Në rajon ne kemi biletat më të lira për udhëtimin e pasagjerëve tanë. Nuk do t’i rrisim çmimet e biletave, unë gjithmonë e vendos veten në pozitën e bashkëqytetarëve të mi. Ende nuk kemi ardhur në atë situatë që t’i shtrenjtojmë biletat. Për më tepër, shërbimi ende nuk është në nivelin që e meritojnë qytetarët”, tha Orce Gjorgjievsk.
Gjorgjievski pret që shërbimi të përmirësohet me 100 autobusët e rinj që duhet të arrijnë. Faza e parë, sipas premtimeve, duhet të realizohet më së voni deri në mars të vitit të ardhshëm, kur janë paralajmëruar 30 autobusët e parë. Të gjithë 100 autobusët për Qytetin e Shkupit duhet të arrijnë deri në mars të vitit 2028.
