Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka pritur sot në takim ushtruesen e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Nicole Varnes.

Gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e decentralizimit, fuqizimin e pushtetit lokal dhe krijimin e mekanizmave më efikasë për mbështetjen e komunave përmes projekteve konkrete zhvillimore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Kryetari Limani ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për proceset demokratike, forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e pushtetit lokal, duke theksuar rëndësinë e saj për avancimin e shoqërisë dhe perspektivën euroatlantike të vendit.

Në kuadër të vizitës, Limani dhe Varnes kanë vizituar edhe Qendrën për Trajtimin e Fëmijëve me Autizëm „Blue Puzzle“, ku janë njohur nga afër me punën e kësaj qendre, aktivitetet që zhvillon dhe angazhimin e stafit në ofrimin e mbështetjes për fëmijët dhe familjet e tyre.

Vizita synon forcimin e dialogut institucional dhe partneritetit ndërmjet pushtetit lokal dhe partnerëve ndërkombëtarë, me fokus në avancimin e qeverisjes demokratike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe krijimin e mundësive më të mira për të gjithë qytetarët.