Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës të mbahet nesër (17 prill), duke u thirrur në përputhje me Rregulloren e Kuvendit që parashikon mbajtjen e saj çdo 48 orë deri në konstituim.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku njoftoi se deputetët e LDK-së do të jenë të pranishëm nesër nga ora 10:00 në seancë dhe ftoi edhe deputetët e tjerë të certifikuar, si dhe partitë parlamentare, të marrin pjesë për të realizuar betimin dhe për të konstituuar Kuvendin.

“Seanca konstituive e Kuvendit të Republikës duhet të mbahet e të thirret më së largu çdo 48 orë. Nesër, nga ora 10:00, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, deputetët e LDK-së do të jenë prezent në seancën që duhet të ndodhë.

LDK-ja i fton të gjithë deputetët e certifikuar dhe të gjitha partitë parlamentare, të jenë prezent në këtë seancë”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së kërkoi gjithashtu dorëheqjen formale të anëtarëve të Qeverisë në detyrë, të cilët sipas tij, po vazhdojnë të mbajnë mbledhje dhe të marrin vendime, ndonëse pretendojnë se janë dorëhequr.

“Njëkohësisht, ftojmë kabinetin qeveritar, që pretendojnë se janë dorëhequr por ende, dhe paradoksalisht, mbajnë mbledhje qeveritare dhe marrin vendime, të dorëhiqen dhe këto dorëheqje t’i deponojnë te organet e Kuvendit të Kosovës. Të tjerët anëtarë të Qeverisë që s’janë apo s’duan të betohen si deputetë, vazhdojnë punën në Qeveri; deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, ka shtuar kryetari i LDK-së.

Ai theksoi se nesër është momenti për të dalluar qartë ata që bllokojnë institucionet dhe nuk respektojnë ligjin e Kushtetutën.

“Betimi i deputetëve ndodhë! Kushtetuta mbrohet! Shteti funksionon! Logjika dhe demokracia triumfojnë!

Zvarritjet e tjera janë veçse kalkulime politike me qëllim të dëmtimit të shtetit, demokracisë dhe rendit kushtetues! Nesër, nga ora 10:00, mblidhemi në seancë. Le të kuptohen qartë bllokuesit institucional e mosrespektuesit e Rregullores, Ligjit e vet Kushtetutës!”, ka përfunduar Abdixhiku.