Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Qeveria pranoi disa kërkesa që gastronomët kishin mbi propozim ligjin për mbrojtje nga duhani. Restorantet dhe objektet e tjera hotelerike do të kenë një periudhë të caktuar kohore që t’i përshtaten kushteve që i kërkon ligji për duhanin. Nuk është pranuar kërkesa që cigaret elektronike të lejohen në hapësira të mbyllura. Ndërkohë, pjesërisht është miratuar kërkesa për shitjen e tyre me shije, ku do të lejohen vetëm variantet me shije neutrale dhe duhani.

“Së bashku unë dhe kryeministri kemi pasur disa takime dhe me prodhimtarët, edhe me konsumatorët, gjithashtu edhe me kompanitë, restorantet, kafenetë. Definitivisht kishte vërejtje që ishin logjike dhe mund të pranohen, por kishte edhe vërejtje të tilla që nuk janë pranuar”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.

Projektligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit parashikon masa të rrepta. Përveç ndalimit të plotë të pirjes së duhanit në ambientet publike dhe të punës, i njëjti parashikon edhe ndalimin e reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit, rregullimin e shitjes, shfaqjes dhe ekspozimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës. / Alsat.mk

The post Ligji për duhanin/ Qeveria pranon disa nga kërkesat e gastronomëve appeared first on Alsat.